(çdo martesë ku përcaktohet data e shkurorizimit është element prostitucioni)
Këto ditë, Ikballe Huduti nga Prizreni bëri namin me deklaratat e saj për ‘martesën e përkohshme’, në emisionin ‘Kojshia Show, datë 9 tetor 2022.
Nuk kam dashur të shkruaj fare për këtë rast, sepse zonja në fjalë nuk është kurrfarë faktori në shoqëri, e aq më shumë që i përket sektit të shiitëve.
Po ashtu, nuk po shkruaj për t’iu kundërpërgjigjur (për shumë arsye), apo për ta argumentuar se kjo martesë është haram, sepse dihet qartësisht.
Por, po shkruaj në mënyrë që xhemati ynë i mrekullueshëm të mos bien pre e keqkuptimeve dhe ideologjive të huaja shkatërrimtare.
Ideja se burri mund të martohet përkohësisht me një grua, duke e nënshkruar datën e shkurorizimit në kontratë, është keqpërdorimi më i shëmtuar që mund t’i bëhet fesë.
Në fakt është legalizim direkt i kurvërisë, si dhe i prostitucionit.
Njeriu veç duhet të jetë tepër anakronik ani me thënë se Islami e lejon një gjë të tillë, kur ligjet njerëzore në emër të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor nuk e ratifikojnë një MARTESË ku paralajmërohet data e shkurorizimit?
E si feja Islame po e lejuaka një gjë të tillë, kur dihet se është është më rigoroze për dinjitetin femëror!?
Paramendoni, ai që ka pasuri/pare, mund t’i ndërrojë gratë jo për çdo vit apo muaj, por për çdo javë e ditë.
Ose në rastin tjetër, paramendoni sikur të gjithë njerëzit ta aplikonin martesën e përkohshme, ambienti do të shndërrohej në jetë shtazësh.
Ky është degradim drastik i femrës dhe devijim i objektivave islame mbi martesën.
E, tani shtrohet pyetja ku qëndron dallimi me prostitucionin!? Në të dy rastet, bëhet fjalë për shfryerje të përkohshme të epsheve me partner të shumtë e të ndryshëm. Absurd!
Shkruan: Orhan BISLIMAJ
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online