Anemitë e shkaktuara nga mungesa e hekurit janë forma më e përhapur dhe gratë janë kontingjenti më i rrezikuar për shfaqjen e saj.
Shenjat e saj klinike dhe si mund të trajtohet i shpjegon mjeku hematolog Vlash Gjeçi.
Mund të na thoni doktor, çfarë është kjo sëmundje?
Kjo formë anemie është shfaqje e çrregullimit të ekuilibrit midis marrjes (natyrisht dhe thithjes, transportit e depozitimit) të hekurit në organizëm nga njëra anë dhe humbjes dhe mungesës nga ana tjetër. Konsiderojmë anemi nga mungesa e hekurit, atëherë kur numri i eritrociteve bie nën 3.300.000, HB nën 8.4% dhe hematokriti nën 40%.
Shfaqjet e anemisë prej humbjes së hekurit janë më të shpeshta nga hemorragjitë në ulcerat e stomakut dhe duodenit, hemorragjitë uterine, nga hemorroidet, nga landa (epistaxi) apo nga plagët, veçanërisht ato të shkaktuar nga armë zjarri.
Jo të rralla janë anemitë hypokrome në sëmundje të brendshme gastro-duodenale, renale, hepatike, reumatizmale apo në parazitarë dhe në sëmundje të tjera infektive, si dhe ato nga gjendjet toksike. Gjithashtu, ka anemi hypokrome nga varfëria me hekur e produkteve ushqimore dhe nga mospërdorimi i hekurit.
Sa e shpeshtë është kjo anemi e shkaktuar nga mungesa e hekurit?
Shpeshtësia e anemisë nga mungesa e Fe, nuk e ekzagjerojmë, nëse themi se është disa herë më e madhe se ulja e gjithë elementeve të tjerë si Ca, Na, Ka, Mng etj., në organizëm.
Në një publikim të para disa vitesh “Mbi anemitë hypokrame” e hematologjisë në Tiranë rezulton se anemitë e shkaktuara nga mungesat e Fe zënë 70% të sëmurëve anemik dhe 30 % të shtrimeve në hematologji. Në një publikim tjetër, punim i bazuar në përcaktimin e feritinës te gratë shtatzëna rezulton se 60% e tyre vuajnë nga anemia me mangësi të hekurit.
Çfarë shenjash klinike shfaq i sëmuri?
Për këtë, ia vlen të rikujtojmë pak disa nga shenjat klinike më të hershme dhe më të shpeshta, me të cilat prezantohet anemia, që janë: dhimbje koke, “prerje gjunjësh” vështirësi në gëlltitje të ushqimeve të thata, djegie gjuhe, tharje dhe thyerje thonjsh.
Si dhe disa dukuri të shfaqura te këta të sëmurë si p.sh., çarje e këndeve të buzëve, sheshim i pipillave të gjuhës, për të cilat shpesh i sëmuri me anemi trajtohet për myk të gojës, gjithashtu duhet të vlerësohet dhe humbja e shkëlqimit dhe deformimi i sheshimit të thonjve.
Jo rrallë, ajo shfaqet me shenja të përgjithshme si: lodhje e përgjithshme dhe shpesh e tejskajshme, rrahje zemre, marrje fryme kur ngjisin shkallët, dhimbje koke e herëpashershme. Pra, të gjitha këto përcaktojnë atë që quhet sëmundje e anemisë nga hekurit aq e mundimshme dhe e zgjatur në shumicën e rasteve. (Shënim: Në numrin tjetër do të lexoni se përse janë gratë më të rrezikuara nga anemia, kurimi dhe masat parandaluese të sëmundjes)
Shenjat
Si ta kuptosh se vuan nga anemia e shkaktuar nga mungesa e hekurit
– Dhimbje koke
– Dobësi trupore
– Vështirësi në gëlltitje të ushqimeve të thata
– Djegie gjuhës
– Tharje dhe thyerje e thonjve
Predispozicioni
– Vajzat në adoleshencë
– Gratë në menopauzë
– Gratë gjatë shtatzënisë
– Nënat e reja gjatë periudhës së laktacionit
– Personat që i janë nënshtruar operacioneve nga stomaku
– Personat që kanë humbje gjaku nga majasëlli, ulcera memece (melene).