Stomatologu nga Hasi, Fejzë Kabashi, është në garë për një ulëse në Kuvendin Komunal të Prizrenit në listën e LDK-së. Ai do të garojë me numrin 20 në listë, shkruan 04 Online.
Kabashi është i angazhuar në politikë që nga viti 2006, duke qenë anëtar i Kuvendit të Degës së LDK-së në Prizren dhe pjesë e kryesisë që nga viti 2015.
Nga janari 2018 deri në qershor 2020 ka drejtuar Drejtorinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit.
Përveç profesionit si mjek stomatolog, Kabashi ka botuar një libër dhe ka në dorëshkrim shkrime të tjera që pritet të publikohen.
Biografia e plotë e Fejzë Kabashit
Fejzë (Tahir) Kabashi u lind më 18. 3. 1978 në fshatin Kabash të Hasit – komuna e Prizrenit. Shkollën fillore e përfundoi në vitin 1993, në paralelen e ndarë “Bajram Curri” – Kushnin – Kabash, ndërsa shkollën e mesme të mjekësisë “Hysni Zajmi” në Gjakovë, në vitin 1997.
Shkollimin e vazhdoi, fillimisht, në Fakultetin e Shkencave Matematikonatyrore – drejtimi Biologji në Universitetin e Prishtinës, pasi nuk kishte arritur që të aplikojë për studime në Fakultetin e Mjekësisë. Në vitin akademik 1998/99 regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë – drejtimi Stomatologji, në Universitetin e Prishtinës.
Gjatë gjithë shkollimit ishte aktivist i dalluar në përkrahjen e çështjeve të nxënësve dhe të studentëve. Njihet për themelimin e organizatës së parë studentore ORS-UP-së (Organizata e Re Studentore), në vitin 2004/05, krahas Unionit të Pavarur, që ekzistonte si organizim studentor. Nga kjo buroi edhe pluralizmi organizativ studentor në UP, ku më vonë u themelua Parlamenti Studentor, që është aktiv edhe sot.
Në zgjedhjet e para parlamentare, që organizuan studentët, përmes ORS-UP-së, u zgjodh përfaqësues i studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Këshillin Mësimor Shkencor të Fakultetit. Përveç literaturës së kërkuar për programin e studimeve, lexoi edhe shumë libra të zhanreve të ndryshme, nga i rrjedh edhe dëshira për t’u marrë me shkrime.
Pas diplomimit (nga viti 2011 punon doktor i stomatologjisë në ordinancën private në fshatin Romajë të Hasit. Punën e doktorit të stomatologjisë vazhdon ta ushtrojë edhe sot. Dr. Fejzë (Tahir) Kabashi është anëtar i LDK-së.
Në vitin 2006 së bashku me anëtarë të tjerë të kësaj partie, aktivin e LDK-së në fshat e shndërron në nëndegë të Degës të Lidhjes Demokratike të Prizrenit. Është anëtar i kuvendit të degës së LDK në Prizren. Në vitin 2015 bëhet edhe anëtar i kryesisë së kësaj partie.
Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të vitit 2017 dhe pas lidhjes së koalicionit për bashkëqeverisje në Prizren, nga 16.1.2018 deri në qershor 2020, kreu funksionin e Drejtorit të Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit.