Falja e 100 eurove të tatimit në pronë, zvarritet miratimi i projektligjit nga seanca në seancë

0
191
Foto: Ilustrim

Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Tatimin në Pronë, që do të mundësonte që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë për vitin tatimor 2023, po zvarritet. Ky projektligj është duke u bartur nga seanca në seancë, që nga 4 maji. Në rend dite ka qenë edhe për ditën e sotme, por që seanca u ndërpre në mungesë kourumi.

Kuvendi i Kosovës ende s’ka arritur që ta miratojë në lexim të parë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme. Ky projektligj ka qenë në rend dite gjatë seancës së sotme, si pikë e përfunduar nga seanca e 4 majit, por që s’është shqyrtuar meqë seanca është ndërprerë në mungesë kourumi. Në Qeveri, ky projektligji është miratuar më 31 mars.

Me miratimin dhe hyrjen në fuqi të këtij Ligji, secilit tatimpagues parashihet t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë për vitin tatimor 2023.

Për qytetarët që tashmë e kanë paguar faturën, shuma e falur do t’ju llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

“Në rast se tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.”

Në projektligj sqarohet se falja tatimore zbatohet vetëm për këtë vit.

“Zbatimi i këtij kapitulli mbetet përgjegjësi e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës”, thuhet në projektligj.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se me faljen që do të bëhet, 85 për qind e tatimpaguesve nuk do të paguanin asgjë për këtë vit, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.

Afati për pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë ka përfunduar me 30 prill. Për këstin e dytë, ka afat deri në fund të muajit shtator.

Pë rata që s’paguajnë me kohë, do të aplikohet një interes prej 0.65% për secilin muaj që vonohet pagesa, si dhe një gjobë prej 10% të tatimit të papaguar.

Sivjet, faturat e jenë më të shtrenjta. Rritja e faturave të tatimit në pronë ka ardhur pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në fund të vitit të kaluar.

Pas këtij vlerësimi, tatimi në pronë për disa është rritur deri në 100%, e për disa ka mbetur i pandryshuar, pasi vlera e pronës, pas vlerësimit, nuk ka ndryshuar.

Opozita e ka kundërshtuar rritjen e tatimit në pronë. Pezullim të këtij vendimi ka kërkuar edhe Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Komunat e kanë kundërshtuar edhe idenë për faljen e 100 eurove të tatimit në pronë, meqë thonë se do të ndikojë në uljen për rreth 40 përqind të të hyrave vetanake, si dhe në projektet kapitale që tashmë janë planifikuar.

Për këtë çështje, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës i është drejtuar me një shkresë Kuvendit të Kosovës, përmes së cilës kakërkuar që me Projektligjin për Tatimin në pronë, krahas faljes se 100 eurove të vendoset që rimbursimin e kësaj shume ta mbulojë niveli qendror.

Qeveria ende s’ka treguar nëse do t’i rimbursojë komunat.

Tatimi në pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore. Kjo normë është 0.15% e vlerës së përgjithshme të pronës.

Nga kjo taksë, shteti i Kosovës ka të hyra vjetore deri në 40 milionë euro. Të hyrat e mbledhura arkëtohen në llogarinë e komunës ku ndodhet prona e paluajtshme dhe shfrytëzohen nga komuna për zhvillimin e infrastrukturës dhe projekte të tjera që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Sipas ligjit, vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet çdo tre ose pesë vjet.

Vlerësimin e fundit, kjo ministri e ka bërë vitin e kaluar, kurse zbatimi i tij në tatimin në pronë ka filluar nga janari i këtij viti. Vlerësimi paraprak është bërë në vitin 2019.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here