Sot, falë Markut e Facebookut, secilin psikopat dhe sociopat, të krisur dhe të çmendur, smirëzi dhe shpirtlig, gojëflliqur dhe të poshtër, oportunist, racist, seksist dhe sadist e njeh e gjithë bota. Njerëzimi di më shumë! Njerëzit e njohin më mirë njëri-tjetrin!
NJERËZIMI KURRË nuk do t’i dalë hakesh Markut. Njerëzit kurrë nuk do t’ia njohin meritën aq sa duhet dhe ta falënderojnë aq sa e meriton kuqaloshin nga White Plains i New Yorkut. Për më tepër, mund të thuhet se si shoqëri ne shpesh i kemi hyrë në hak.
Nuk ka akuzë e cila nuk i është bërë Markut.
Marku, po na përgjon.
Marku, po na shet te bizneset.
Marku, po na i keqpërdorë të dhënat.
Marku, ka krijuar varëshmëri të re.
Marku, ka ndikuar në humbjen e privacisë.
Marku, na ka mbushur plot komplekse.
Marku, Marku, Marku…
E saktë! Markut mund t’i bijmë në qafë për shumë gjëra. Edhe ai, si çdo qenie njerëzore, është i gabueshëm. Mund të bëjë lëshime e mund të ketë edhe mëkate.
Por Marku nuk na ka imponuar gjë.
Ne i jemi nënshtruar zbulimit të tij. Ne i jemi nënshtruar Facebookut. Dhe ia kemi parë hairin në mënyra mbase ende të paimagjiueshme.
PARAMENDOJENI BOTËN pa rrjetin social më të popullarizuar në botë. Paramendojeni se si ka qenë para vitit 2004.
Të gjithë njerëzit kanë qenë njësoj… njerëz… siç janë edhe sot.
Ka pasur në mesin e njerëzve gjeni, ka pasur të ditur, ka pasur punëtorë, ka pasur idealistë dhe ka pasur vizionarë, njëlloj siç ka pasur psikopatë dhe sociopatë, të krisur dhe të çmendur, smirëzinj dhe shpirtligë, gojëflliqur dhe të poshtër, oportunistë, racistë, seksistë e sadistë.
Mirëpo, ka pasur edhe një rregull. Ka pasur më shumë filtrim. Ka pasur vendosje më të sofistikuar të sistemit të vlerave.
Për shembull, për ta shfaqur një qëndrim ose një mendim, zakonisht ka pasur profesionistë të fushës, të cilët fillimisht e kanë vlerësuar, redaktuar e rafinuar, para se si i njëjti të mund t’i servohej botës.
Ka pasur zakonisht një sistem, i cili kur ka funksionuar, ka bërë seleksionim të asaj që e meriton t’u servohet ose jo masave.
Kjo, natyrisht, sa i ka të mirat e veta, i ka edhe mangësitë e mëdha.
Filtrimi, seleksionimi, mund të jetë i rrezikshëm. U jep pushtet atyre që mbajnë portat e masave. I privon nga masat shumë të tjerë. I vie era – censurë.
Mbi të gjitha, filtrimi e seleksionimi “i të mirës dhe të vlefshmes” ka bërë shpesh që, ne, si njerëz, ta mashtrojmë edhe veten.
Po, po, ta mashtrojmë veten dhe kështu t’i mashtrojmë edhe të tjerët. Të mos e dimë se kë e kemi pranë vetes. Se çka vërtet mendon dhe çka ndjen për veten, shoqërinë, botën e çkado tjetër familjari, shoku e fqinji, kolegu, miku dhe armiku.
Shkurt, të mos i kuptojmë njerëzit.
JO MË! MARKU I dha fund tiranisë së mendimit dhe fjalë së rafinuar. Ai i hapi portat. I dha fund – “censurës”.
Tash, të gjithë, pa asnjë përjashtim, mund t’u drejtohen masave. Pa seleksionim, pa filtra, pa manire.
Mjafton të kesh qasje në internet dhe një llogari në Facebook. Je “live” para botës.
Secili psikopat dhe sociopat, i krisur dhe i çmendur, smirëzi dhe shpirtlig, gojëflliqur e i poshtër, oportunist, racist, seksist e sadist e ka mundësinë ta shpalos veten para botës.
Pa i bërë trysni askush, pa ia kërkuar kush.
Të tillët i shohim t’i shpërfaqin sot idiotësitë e budallakitë, ligësitë e urrejtjen para gjithë njerëzimit. Na tregojnë vetë se cilët janë.
Pa i pyetur askush. Vetëm duke u përgjigjur në pyetjen e Markut në Facebook: What’s on your mind?
Ata na tregojnë se cilët janë. Me fjalë të veta.
Tash, ne e dimë se kush janë.
Më herët i ka njohur vetëm shtëpia e vet, lagjja e vet, rrethi i vetë i ngushtë.
Sot, falë Markut e Facebookut, secilin psikopat dhe sociopat, të krisur dhe të çmendur, smirëzi dhe shpirtlig, gojëflliqur dhe të poshtër, oportunist, racist, seksist dhe sadist e njeh e gjithë bota.
Njerëzimi di më shumë! Njerëzit e njohin më mirë njëri-tjetrin!
Së këndejmi: Faleminderit, Mark!
Shkruan: Adriatik KELMENDI
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online