Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Sllovenisë, Tanya Fajon, ka thënë se në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, do të diskutohet situata shqetësuese në Ballkanin Perëndimor.
Sipas saj de-përshkallëzimi i tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë është mëse i nevojshëm.
“Ne do të diskutojmë situatën shqetësuese në Ballkanin Perëndimor me fokus në Kosovë dhe Serbi. De-përshkallëzimi i tensioneve është i nevojshëm, si dhe siguria e qytetarëve”, ka thënë Fajon.
Ndryshe, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë sot për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe tensionet e fundit mes dy vendeve.
Ata do të kenë “shkëmbim të mendimeve rreth dialogut Prishtinë-Beograd, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës”.
Pritet që para ministrave të raportojë kryediplomati i BE-së, Josep Borell, dhe më pas të vazhdojnë diskutimet në këtë temë.