Mesfushori i Zvicrës, Fabian Rieder, ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes së së premtes ndaj Kosovës në Basel, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, shkruan 04 Online.
Lojtari i ri i Augsburgut ka vlerësuar lart ekipin “Dardanët”, duke theksuar se për Helvetikët është thelbësore të nisin me rezultat pozitiv këtë kampanjë.
“Po luajmë kundër Rexhbeçajt, një shoku të ri të skuadrës për mua. Por, ata (Kosova) janë të pozicionuar mirë në të gjithë skuadrën dhe do të na duhet ta shtyjmë veten deri në limit kundër këtij kundërshtari të fortë”, tha Rieder.
Ai shtoi se grupi është shumë i vështirë, duke përfshirë Kosovën, Suedinë dhe Slloveninë:
“Nuk do të jetë një shëtitje në park për ne në këto kualifikime. Të tri skuadrat (Kosova, Suedia e Sllovenia) kanë cilësi të jashtëzakonshme. Por, ne duam ta kalojmë grupin dhe, nëse është e mundur, t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Këto janë qëllimet tona. Mezi presim të fillojmë.”./04 Online