Çerekfinalet e kompeticionit të dytë europian për nga rëndësia, premtojnë spektakël, duke nisur prej orës 18:45 me sfidën Feynoord – Roma.
Pas gati 11 muajsh rikthehet finalja historike e Tiranës, por tani në Europa League. Holandezët kanë një mundësi të artë për hakmarrje dhe në këtë sfidë vijnë në momentin më të mirë të tyre.
Kryesuesit e Eredivisies janë në rrugën e duhur për të triumfuar në kampionatin holandez. Pas 28 javësh, kryesojnë bindshëm me 8 pikë më shumë se Ajaxi.
Titulli është shumë pranë, por skuadra e trajnerit Slot synon edhe Europa League-n. Në anën tjetër, Roma kërkon të triumfojë sërish në një kompeticion europian që për nga rëndësia vlen më shumë se Conference League.
Pika më e fortë e verdhekuqve është pa dyshim trajneri Jose Mourinho. Portugezi po bën mjaftë mirë edhe këtë sezon, Roma e tij aktualisht renditet e treta në Serinë A dhe lufton për objektivin Champions League, ndërsa synimi kryesor mbetet triumfi në Europa League.
Kjo do të jetë ndeshja e katërt në histori mes dy skuadrave. Italianët dominojnë me dy fitore, ndërsa një sfidë ka përfunduar në barazim.
Në orën 21:00 do të luhen edhe dy sfida të tjera. Man United – Sevilla mund të konsiderohet pa dyshim ndeshja më e fortë e këtij raundi në Europa League.
Pas triumfit në “Carabao Cup”, “Djajtë e Kuq” synojnë të fitojnë një tjetër trofe në Europa League, por nuk do të jetë aspak e lehtë pasi përballë në çerekfinale do të kenë ekipin ekspert të këtij kompeticioni.
Sevilla është klubi që ka triumfuar më së shumti në Europa League, 5 herë dhe do të tentojë sërish ta rikthehet te fitimi i trofeut.
Man. United në këtë sfidë nuk do të ketë në dispozicion lojtarin më në formë të ekipit: Marcus Rashford (për shkak dëmtimi).
Në të njëjtën orë do të luhet edhe Juventus vs Sporting Cp. Italinët pësuan humbje në sfidën e fundit në Serinë A përballë Lazios dhe tani kualifikimi në Champions League mbetet shumë i vështirë për t’u arritur nga kampionati. Prandaj rruga e vetme mbetet triumfi në Europa League, që mungon prej vitit 1993.
Por për skuadrën e Allegrit nuk do të jetë aspak e lehtë pasi përballë do të ketë skuadrën që eliminoi Arsenalit. Portugezët treguan karakter përballë kryesuesve të Premier League-s dhe ia dolën mbanë falë penalltive.
Tani Sportingu do të ketë një tjetër provë të vështirë, por jo të pamundur./SS