Eurodeputeti Mandl: E gjithë bota ka sytë nga Serbia pas gabimit që bëri, Kosova është shtet

0
355

Eurodeputeti Lukas Mandl ka thënë se Serbia ka bërë gabim të madh dhe se për këtë e gjithë bota po shikon drejt asaj.

Mandl në një intervistë për numrin e së hënës të gazetës së pavarur serbe “Danas”, tha se Serbia ka bërë gabim të madh që është rreshtuar në anën e kundërt të perëndimit në lidhje me agresionin rus në Ukrainë.

Diplomati austriak ka folur edhe për dialogun dhe ka thënë se ai nuk është dialog mes Prishtinës e Beogradit, siç i referohet Beogradi zyrtar, por mes Kosovës e Serbisë.

“Qytetet nuk bisedojnë mes vete, por shtetet”, tha ai.

Mandl tha se Kosova është shtet dhe se Serbia duhet të rreshtohet me botën perëndimore, meqë siç tha ai “serbët e meritojnë këtë”.

“Meqenëse liderët serbë bënë gabim që nuk iu bashkuan mbrojtjes ‘pa gjak’ kundër një sulmi të përgjakshëm lufte – pra sanksioneve (kundër Rusisë v.j.) dhe në këtë aspekt zgjodhën anën e gabuar për një çështje shumë më të gjerë, e gjithë bota ndien se ka një problem në Serbi, i cili vazhdon për shumë kohë më gjatë. Kjo është arsyeja pse shumë tani po e ndjekin me vëmendje sjelljen e shtetit të Serbisë dhe kjo në mënyrë indirekte tërheq vëmendjen ndaj qëndrimit të papranueshëm të Serbisë ndaj Kosovës, i cili po vazhdon për shumë vite”, tha Mandl në intervistë për “Danas”.

Mandl është anëtar i delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me Kosovën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here