Dy deputetë austriakë kritikuan hapur BE-në në seancën e parlamentit europian, ku u diskutua raporti për Kosovën për vitin 2022.
“Ne e kuptuam në një mënyrë të tmerrshme dallimin mes agresorit dhe viktimës dhe është e rëndësishme që kur flitet për Kosovën të mbahet parasysh se ajo është një vend që luftoi për të çliruar veten, e pagoi një çmim shumë të lartë për vetë ekzistencën e saj”, u shpreh eurodeputeti Lukas Mandl. Për këtë arsye, tha ai, është befasuese që qytetarët e Kosovës janë më optimistët dhe shtatorin e vitit të kaluar, aplikuan për anëtarësim në BE.
“U desh shumë kohë për të pasur udhëtimin pa viza dhe nuk duhet të zgjasë aq shumë dhe anëtarësimi i Kosovës në BE. Kosova ka standardet me të larta për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, liri fetare e nje kushtetutë shumë moderne. Ndaj komisioner, ju lutemi mos flisni më për të dyja palët kur flisni për dialogun. Unë do t’i kërkoja gjithashtu përfaqësuesit të lartë Borrell dhe gjithashtu Lajçakut kur flasim për Kosovën dhe Serbinë të shohin se Kosova është në rrugën drejt integrimit europian”, u shpreh Lukas Mandl.
Eurodeputeti Thomas Waitz kujtoi ndërkohë se presidenti serb Aleksandër Vuçiç refuzoi ta nënshkruajë marrëveshjen e Ohrit dhe si reagim ndaj kësaj, refuzoi ta nënshkruajë edhe kryeministri Kurti.
“Ne tashmë e shohim rezistencën dhe bllokimin e Serbisë, kur është fjala për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Por dua gjithashtu të mbështes thirrjen e këtij raporti ndaj shteteve brenda Bashkimit Europian që nuk e njohin Kosovën, Spanja, Rumania, Sllovakia, Qiproja e Greqia e të ndryshojnë qëndrim. Kosova është shtet i pavarur prej më shumë se 10 vitesh. Refuzimi juaj për të njohur bazohet vetëm në çështjet e brendshme. Kështu që unë ju bëj thirrje ta hiqni këtë bllokadë sepse kështu vetëm po e inkurajoni Serbinë dhe rrjedhën e saj të konfliktit. Dhe nëse kjo nuk është ajo që dëshironi, njiheni Kosovën si shtet i pavarur që është”, u shpreh Thomas Waitz./TCh