Kohëve të fundit janë shpeshtuar rastet e parave të falsifikuara e të cilat pothuajse kanë vërshuar tregun në Kosovë. Vetëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë kanë arritur 460 dëshmi të kartëmonedhave të falsifikuara. Pjesa dërmuese e tyre janë kartëmonedhave 100 eurosh, mirëpo nuk mungojnë as monedhat në vlerë prej 200 dhe 500 euro.
Sipas Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, në tremujorin e parë të këtij viti rezulton se kartëmonedha më e falsifikuar është ajo në vlerë prej 100 euro. Feriz Selimaj, specialist në Divizionin për ekspertim të dokumenteve dhe dorëshkrimeve në këtë agjenci, sqaron për Radio Kosovën se vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, 201 dëshmi kanë qenë për kartëmonedhën e falsifikuar 100 eurosh dhe 32 dëshmi të kartëmonedhës 500 eurosh.
“Pra, te ne kanë ardhur 460 dëshmi kartëmonedha në vlera të ndryshme. Kemi 201 dëshmi të vlerës 100 euro e që është dëshmia më e shpeshtë që vije për ekspertizë. Kemi edhe kartëmonedhën 200 eurosh 15 copë dhe 500 euro 32 dëshmi”, tha Selimaj.
Selimaj tregon se si identifikohen parat e falsifikuara me anë të pajisjeve laboratorike. Ai thotë se kartëmonedhat origjinale posedojnë shenjat e sigurisë. Ndërkaq sqaron se si qytetarët mund t’i identifikojnë kartëmonedhat e falsifikuara.
“Janë disa elemente apo disa teknika që munden t’i përdorin qytetarët te kartëmonedhat, e ajo është shenja ujore që vërehet me anë të dritës”, tha ai.
Për sa u përket masave kundër falsifikimit, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) vazhdon të bashkëpunojë me autoritetet për avancimin e raportimit të parave të gatshme të dyshuara si false. Me gjithë insistimin tonë që për këtë çështje të bisedojmë edhe me përfaqësues të Shoqatës së Bankave të Kosovës për të marrë informacione rreth masave që po ndërmarrin bankat rreth parandalimit të qarkullimit të parave false, ata nuk janë përgjigjur.
Ndryshe Policia e Kosovës brenda muajit mars ka raportuar për pesë raste për falsifikim të parave në vlera të ndryshme. Të pesë rastet e raportuara për falsifikim të kartëmonedhave, sipas policisë, janë në rajonin e Prishtinës. Gjithashtu policia bën të ditur edhe për tri raste të tjera të falsifikimit të parave para dy javësh në Gjakovë. Në të tria rastet, është falsifikuar kartëmonedha prej 100 eurosh./Radio Kosova