Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se marrëveshja e arritur, sidomos ajo në Ohër, është mundësi shumë e mirë për të dyja vendet që të krijojnë marrëdhënie të mira mes vete dhe të hapin dyert për integrim.
Sipas tij, marrëveshja obligon Serbinë që të njoh sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe dokumentet e saj. Për pjesën e Kosovës obligim ka thënë se është formimi i Asociacionit.
“Të dyja vendet duhet të nisin procesin për implementim të marrëveshjes. Ata duhet të lëvizin sa më shpejt që është e mundur që të bëjmë progres për të dyja vendet këtë vit”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nuk janë vendosur sanksione ndaj Kosovës por janë marrë masa.
Escobar ka thënë se duan të shohin më shumë angazhim nga Kosova për përmbushjen e planit trepikësh të BE-së.
“SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë një plan trepikësh për shtensionimin e situatës dhe pastaj kthimin në dialog. Këto janë kushtet. Kemi marrë konfirmim nga Serbia që do t’i tërheqë protestuesit para ndërtesave të komunave në veri dhe do të marrë pjesë në zgjedhje. Nuk kemi marrë angazhim të plotë nga Kosova, por pajtohemi me Kosovën në shumë standarde demokratike që duan t’i aplikojnë. Gjithashtu pajtohemi me Kosovën që ata që sulmojnë gazetarët dhe KFOR-in duhet të marrin ndëshkim, por ne ende presim të shohim përafrim në planin lehtësues të BE-së. Ne do të punojmë me Qeverinë e Kosovës që t’i bindim që është në interesin e tyre të punojnë me SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, NATO-n, BE-në, QUINT-in, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë që është po ashtu pjesë e procesit”, ka thënë ai.