Escobar: Kurti refuzoi propozimet për dinarin

0
164

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që ta pezullojë vendimin për ndalimin e monedhës serbe në Kosovë, derisa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

“Kryeministri tha se ky ishte vendim i një institucioni të pavarur”, tha Escobar në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë të premten, në përfundim të vizitës së tij në Kosovë, të cilën e nisi më 13 mars.

Escobar, megjithatë, tha se ende shpreson që një zgjidhje të gjendet të martën, kur kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel.

Ai shtoi se nuk ka marrë asnjë garanci nga kryeministri i Kosovës kur bëhet fjala për të çuar përpara draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai pranoi se ka, siç tha, “shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosjes, jo vetëm në Uashington, por edhe në Bruksel, Romë, Berlin e Paris”.

“Ne gjithmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi dallime me individë dhe me qeveri individuale. Dhe, unë mendoj se pikërisht këtu jemi tani – jemi duke hyrë në një periudhë të mungesës së komunikimit. Dhe ne, së paku nga pala amerikane, jemi duke bërë gjithçka që mundemi për ta riparuar këtë marrëdhënie”, tha Escobar, njëherësh i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Vendimin për tokat rreth Manastirit të Deçanit e cilësoi si pozitiv, por tha se janë edhe dy kushte që Kosova duhet t’i plotësojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

I pyetur nëse SHBA-ja sheh ndonjë lidhje midis sulmit në Banjskë dhe shtetit të Serbisë, Escobar tha: “Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por po e hetojmë në tërësi”.

“Ne nuk po i kërkojmë Serbisë hetime të 24 shtatorit [kur ndodhi sulmi në Banjskë], ne po i kërkojmë llogaridhënie”, tha Escobar./Koha

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here