Escobar: I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës të pranojë dhe lejojë serbët që duan dhe kanë të drejtë të kthehen në institucione

0
270

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të pranojë dhe lejojë kthimin e serbëve në institucionet e vendit si lëvizje drejt normalizimit.

Në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, Escobar ka thënë se ekzekutivi duhet të lejojë kthimin e atyre që duan dhe kanë të drejtë të vazhdojnë punën në institucionet e Kosovës.

“I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i pranojë njerëzit që do të kthehen, ata që kanë të drejtë të kthehen, t’i lejojnë të kthehen. Dhe, më pas të lëvizim përpara në diskutimet për normalizim… Mendoj se ata duan të kthehen. Mendoj se askush nuk përfiton nga bojkoti. Mendoj se të gjithë duhet të angazhohemi në procesin e pajtimit dhe mendoj se ata mund të jenë pjesë e këtij procesi”- ka thënë ai gjatë intervistës.

Serbët e veriut të Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës, sidomos nga Policia, gjyqësori dhe komunat, në shenjë proteste ndaj suspendimit nga ministri Xhelal Sveçla të drejtorit të Drejtorisë rajonale Mitrovica – Veri, Nenad Gjuriq, pasi ky i fundit kishte refuzuar të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’u shqiptuar “qortime” pronarëve të automjeteve me targa ilegale serbe.

Gabriel Escobar ka qëndruar sot në Beograd ndërsa të hënën ai qëndroi në Kosovë, ku takoi kryeministrin dhe presidenten e Kosovës.

Vizita e Gabriel Escobar në Kosovë e Serbi ndodhi në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.

Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak./Kallxo.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here