Escobar: Falënderojmë institucionet e Kosovës, vendimi për Manastirin e Deçanit hap i domosdoshëm!

0
174

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor ka falënderuar institucionet e Kosovës, pas vendimit të marrë për Manastirin e Deçanit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët ka bërë të ditur se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën rreth Manastirit të Deçanit.

“Për të arritur një qëllim shumë më madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët ne duhet të bëjmë një hap përpara me maturi e përgjegjësi si një vend i pavarur e sovran. Andaj, sot i kemi thënë Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Një gjë të tillë e ka përshëndetur emisari Escobar.

“Dua të përmendi se është shumë i rëndësishëm vendimi i sotëm për Manastirin, ishte i vështirë, por i domosdoshëm. Falënderojmë institucionet për këtë hap”, ka thënë Escobar.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i vitit 2016, i cili parasheh transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, vlerësohet se është vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here