Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj thotë se sulmi terrorist i 24 shtatorit ka pasur si synim aneksimin e pjesës veriore siç ndodhi me Krimenë në vitin 2014 nga Rusia.
Këtë ndërlidhje, Hoxhaj e bën me faktin se në shkurt dhe mars të vitit 2014, Rusia pushtoi dhe më pas aneksoi Gadishullin e Krimesë, duke e marrë atë nga Ukraina. Kjo ngjarje ndodhi pas Revolucionit të Dinjitetit dhe është pjesë e luftës më të gjerë ruso-ukrainase.
Hoxhaj ka thënë se kjo situatë është mënjanuar falë fitores së Policisë së Kosovës por që nuk e përjashton mundësinë që kjo të përsëritet. Kritika ka edhe ndaj Bashkimit Evropian për amnistim të Serbisë për sulmin terrorist.
Sipas Hoxhajt, krahas “luftës diplomatike” që e përdor Serbia kundër Kosovës, në mendje e ka edhe opsionin ushtarak, teksa veprimet e fundit i sheh si të planifikuara mirë e me qëllime të qarta politike.
“Padyshim që ka qenë një akt i agresionit i planifikuar i shtetit serb dhe me qëllime të qarta politike, meqë këta njerëz janë kriminelë të rëndomtë dhe në të kaluarën janë marrë me kontrabandë por qëllimi dhe agjenda e tyre ka qenë politike, ka qenë aneksimi i pjesës së veriut të Kosovës, në një mënyrë të ngjashme sikurse Krimea në mars të 2014-ës apo Donbasi para dy vitesh dhe qëllimi i tyre ka qenë ta përmbysin rendin kushtetues, ta aneksojë këtë pjesë të territorit të Kosovës, të krijojnë fakte të reja në terren dhe ta qesin Kosovën para fakteve të kryera dhe falë fitores së Policisë dhe të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Ne e kemi një situatë e cila e ka mënjanuar këtë rrezik të parë por nuk përjashtohet mundësia e tillë e ngjashme mund të ndodhë edhe në të ardhmen, meqë nëse dikush ka menduar që prej 99-ës deri në 2023, vetëm ‘lufta diplomatike’ është platformë se si Serbia e godet Kosovën, 24 shtatori ka treguar që opsioni ushtarak është opsion të cilën Serbia e ka në tavolinë, në kokë dhe me veprim në veri të vendit”, ka thënë Hoxhaj për Ekonomia Online.
Hoxhaj konsideron se Kosova mbetet target luftës “hibride serbe”, teksa thekson se Serbia po mundohet t’i jetësojë pritjet e saja politike. Hoxhaj ka kërkuar që para anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian të bëhet anëtarësimi në NATO.
“Mendoj që veprimi i aktit të agresionit është vetëm një dimension i luftës hibride. Lufta hibride ka disa dimensione të ndryshme. Është luftë diplomatike, është luftë për të bllokuar institucionet sikurse që ishte tërheqja e komunitetit serb, e policëve, e gjyqtarëve e kryetarëve serb të komunave vitin e kaluar, dezinformimi, keqinformimi dhe tani opsioni ushtarak. Pra lufta hibride nënkupton metoda dhe forma të shumta se si një shtet e mbërrin qëllimin e saj”.
“Unë e kam thënë më herët se Kosova është target i lartë i luftës hibride serbe dhe jo vetëm, dhe kjo se çfarë ka ndodhur me 24 shtator, tregon se Serbia ushtarakisht mendon që mund t’i jetësojë pritjet e saja politike në Kosovë dhe unë mendoj se kjo është një pikë kthese ku politika në Kosovë do duhej ta kuptojë në mënyrë krejt të re raportin e Kosovës me Serbinë, do duhej ta sheh krejt ndryshe situatën në veri të vendit dhe duhet të ketë qartësi politike se si të sillemi. Për mua personalisht, siguria do duhej të jetë prioritet përpara normalizimit të raporteve me Serbinë dhe para dialogut dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të jetë prioritet para anëtarësimit të Kosovës në Bashkim Evropian”, ka deklaruar Hoxhaj.
“Mendoj se atë se çfarë e kanë bërë kolegët në Qeveri që ta ekspozojnë Serbinë dhe ta nxjerrin zhveshur se a qëndrojnë mbrapa aktit të agresionit, me gjithë atë armatim dhe me të gjitha ato incizime e me gjithë potencial që kishte bërë Serbia, mendoj që ka qenë një punë e mirë e drejtë por fakti që shteti i Kosovës është duke marrë shumë kohë me konferenca për shtyp dhe me intervista poshtë e lartë, kjo është diplomaci publike për të fituar mendjet dhe zemrat e opinionit publik perëndimor”, ka thënë Hoxhaj, teksa shpreh shqetësimin edhe për mungesë të vizitave të liderëve institucionalë në vendet perëndimore. Vizita thotë se nuk po ka as nga shtetet që e kanë mbështetur Kosovën.
Hoxhaj ka vënë në thumb të kritikave edhe Bashkimin Evropian për siç thotë amnistim të Serbisë pas aktit terrorist në Banjskë.
“Nuk po shoh vizita të askujt në Uashington, në Londër, në Berlin nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe nuk po shoh delegacione nga shtetet e QUINT-it që e kanë mbështetur Kosovën historikisht, pas një akti të agresioni që të vijnë dhe ta vizitojnë Kosovën dhe të tregojnë që ne jemi pranë Kosovës dhe të interesuar të dalim me një zgjidhje politike dhe njëkohësisht është përpjekje e Serbisë për t’i ikur sanksioneve dhe është përpjekje e Bashkimit Evropian për ta amnistuar Serbinë dhe unë mendoj që është koha e fundit që Qeveria e Kosovës që jo vetëm të lëshojë britma në Prishtinë por të bëjë veprime konkrete drejt botës perëndimore që Serbia të sanksionohet”, u shpreh Hoxhaj.