Energjia e errët – Forca misterioze kozmike duket se po dobësohet

0
57

Energjia e errët, një prej forcave më misterioze në univers, duket se po dobësohet, sipas një raporti që mund ta “përmbysë” atë që shkencëtarët thonë deri tani për fatin e kozmosit.

Nëse konfirmohet, rezultatet nga ekipi në Observatorin “Kitt Peak” në Arizona do të kishin implikime të thella për teoritë rreth evolucionit të universit, duke hapur mundësinë që zgjerimi aktual i tij mund të shkojë në drejtim të kundërt.

Sugjerimi se energjia e errët e arriti kulmin miliarda vjet më parë do të lajmëronte po ashtu ndryshimin e parë thelbësor në dekada në modelin teorik të pranuar gjerësisht të universit.

“Ajo çfarë po shohim është thellësisht intriguese. Është emocionuese të mendosh se mund të jemi afër një zbulimi të madh për energjinë e errët dhe natyrën e universit tonë”, ka thënë Alexie Leauthaud-Harnett, kozmologe në Universitetin e Kalifornisë.

Energjia e errët u zbulua në vitet 1990 kur astronomët nisën hetimin e shkallës së zgjerimit kozmik përgjatë kohës. Pritshmëria e tyre ishte që graviteti do ta kundërshtonte zgjerimin, por në vend të kësaj doli se shkalla e zgjerimit po përshpejtohej, e shtyrë nga një forcë e panjohur që shkencëtarët më pas e quajtën energji e errët, raportoi Guardian.

Energjia e errët supozohet se është konstante, e pandryshueshme, gjë që nënkupton se universi do të përmbushte fundin e tij për të arritur skenarin që është quajtur “ngrirja e madhe” – ku gjithçka përfundon aq larg njëra-tjetrës sa edhe drita nuk do të mund ta kapërcejë hendekun mes galaktikave. Gjetjet tani e sfidojnë këtë teori.

Rezultatet kanë sugjeruar se energjia e errët është 10% më e dobët. Kjo nënkupton se shkalla e zgjerimit ende është në përshpejtim, por se energjia e errët nuk është fuqia shtytëse më e madhe në këtë.

“Ajo që po gjejmë është se ka diçka që i largon galaktikat nga njëra-tjetra, por nuk është konstante. Është në rënie”, ka thënë Carlos Frenk, kozmolog në Universitetin e Durhamit.

Shkencëtarët nuk e dinë pse energjia e errët, që përgjithësisht vlerësohet se përbën rreth 70% të universit, mund të jetë në rënie ose nëse kjo do të nënkuptonte se ligjet e fizikës po ndryshojnë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here