EMN: Ndarja e subvencioneve nga DKRS dhe DTZHE në Prizren mbetet jo-transparente

0
123

Organizata “EC Ma Ndryshe” ka reaguar ndaj praktikës së vazhdueshme të mungesës së transparencës nga Komuna e Prizrenit në ndarjen e subvencioneve për OJQ-të, raporton 04 Online.

Ajo ka kritikuar Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe atë për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik për publikim të pjesshëm të informatave, duke kërkuar që listat e përfituesve të përfshijnë kriteret e vlerësimit, emrat e komisioneve, shumat e aplikuara dhe të mbështetura, si dhe përshkrime të projekteve.

Sipas EC-së, transparenca e plotë është thelbësore për besimin e qytetarëve dhe qeverisje të mirë.

Reagimi i plotë i “EC Ma Ndryshe”:

Komuna e Prizrenit edhe në vitin 2025 ka vazhduar praktikën e transparencës së cunguar në procesin e ndarjes së subvencioneve për organizatat joqeveritare.

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) ka publikuar listën përfundimtare të përfituesve (linku i njoftimit: https://www.facebook.com/photo/?fbid=1114372694055717&set=a.288714333288228) ndërsa Drejtoria për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik (DTZHE) deri tani ka bërë publike listën preliminare (linku i njoftimit: https://www.facebook.com/photo?fbid=1123009033192083&set=a.288714333288228), ku të dyja këto lista përmbajnë vetëm emrat e përfituesve dhe titujt e projekteve, pa informacione shtesë që do të garantonin transparencë të plotë.

EC Ma Ndryshe ashtu sikurse edhe në vitet e mëparshme kërkon që publikimi i listave të shoqërohet me informatat si në vijim: kriteret e vlerësimit, emrat e anëtarëve të komisioneve vlerësuese, shumat me të cilat ka aplikuar çdo organizatë, shumat e mbështetura nga drejtoritë përkatëse, si dhe përshkrime të shkurtra të projekteve dhe rezultateve të synuara.

Publikimi i këtyre të dhënave do të shërbente si shembull i mirë i qeverisjes transparente dhe llogaridhënëse. Transparenca në ndarjen e subvencioneve është një nga parimet themelore të legjislacionit në fuqi dhe një zotim i shpallur publikisht nga menaxhmenti i komunës.

Praktika aktuale e publikimit të pjesshëm të informatave bie ndesh me këto parime dhe rrezikon të minojë besimin e qytetarëve në institucionet publike. EC Ma Ndryshe u bën thirrje drejtorive komunale që të ndryshojnë praktikën e deritanishme të publikimit të informatave të pjesshme dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar transparencë të plotë në të gjitha fazat e ndarjes së subvencioneve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here