EMN: Kryetari i Prizrenit të respektojë zotimin se askush me aktakuzë nuk do të jetë në qeverisje

0
133

Organizata EC Ma Ndryshe ka kërkuar shkarkimin ose dorëheqjen e menjëhershme të drejtorit komunal ndaj të cilit Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në rastin e rrënimit të kompleksit të mbrojtur “Saraji i vjetër”, raporton 04 Online.

EC rikujton premtimin e kryetarit të Komunës së Prizrenit se persona me aktakuzë nuk do të jenë pjesë e kabinetit, duke theksuar se aktualisht dy drejtorë komunalë përballen me akuza të tilla.

Reagimi i plotë i EC Ma Ndryshe

EC Ma Ndryshe duke marrë parasysh nevojën për funksionimin e institucioneve publike me integritet dhe qeverisjen e tyre me etikë, kërkon shkarkimin e menjëhershëm apo dorëheqjen e drejtorit komunal ndaj të cilit është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prizren, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

EC-i sjellë në kujtesë se premtimet elektorale të dhëna nga Kryetari i Komunës së Prizrenit dhe subjekti i tij politik kanë qenë të qarta, me theksin se askush me aktakuzë nuk do të jetë pjesë e kabinetit qeverisës.

Rishtazi Prokuroria Themelore e Prizrenit ka njoftuar opinionin se ndaj një drejtori komunal është ngritur aktakuzë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar lidhur me rrënimin e monumenteve të kompleksit “Saraji i vjetër” në Prizren.

EC Ma Ndryshe qysh në qershor të vitit të shkuar pat kërkuar nga organet përgjegjëse shtetërore që ta hetojnë në tërësi rastin e rrënimit të ndërtesave në kuadër të kompleksit Saraji i vjetër në Prizren, aset ky i mbrojtur i trashëgimisë kulturore, dhe që bazuar në fakte të merren masa ligjore në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës ndaj të gjithë përgjegjësve për shkatërrimin e asetit nën mbrojtje të përhershme.

EC-i, pa e paragjykuar epilogun e këtij rasti, konsideron se organet gjyqësore duhet marrin një vendim meritor bazuar në fakte.

Por në të njëjtën kohë rikujton se tani qeveria komunale e Prizrenit në përbërjen e saj ka dy drejtorë komunalë me aktakuza për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Për këtë arsye rikujton zotimin e kryetarit të Komunës për qeverisje me drejtorë pa aktakuza.

Çdo ndryshim i këtij qëndrimi përbën shkelje të drejtpërdrejtë të besimit qytetar, dëmton transparencën institucionale dhe e bën të pakuptimtë luftën ndaj korrupsionit në nivel lokal.

Për këtë arsye, EC-i kërkon që Kryetari i Komunës të veprojë në përputhje me zotimet publike dhe të shkarkojë drejtorët me aktakuza, duke treguar se etika dhe integriteti janë vlera që zbatohen në praktikë, jo vetëm në fushatë; dhe në këtë mënyrë të mundësohet që proceset pranë organeve të drejtësisë të zhvillohen në mënyrë të drejtë dhe transparente, pa ndikime politike apo institucionale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here