EC Ma Ndryshe i ka bërë thirrje Kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, që të shkarkojë menjëherë drejtorin komunal ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton 04 Online.
Organizata rikujton zotimin elektoral të Totajt se askush me aktakuzë nuk do të jetë pjesë e qeverisjes dhe thekson se veprimi në përputhje me këtë premtim është thelbësor për ruajtjen e integritetit dhe luftën kundër korrupsionit.
Reagimi i plotë i EC Ma Ndryshe
Kryetari i Prizrenit të respektojë zotimin se askush me aktakuzë nuk do të jetë në qeverisje
EC Ma Ndryshe duke marrë parasysh nevojën për funksionimin e institucioneve publike me integritet dhe qeverisjen e tyre me etikë, kërkon shkarkimin e menjëhershëm apo dorëheqjen e drejtorit komunal ndaj të cilit është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prizren, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
EC sjellë në kujtesë se premtimet elektorale të dhëna nga Kryetari i Komunës së Prizrenit dhe subjekti i tij politik kanë qenë të qarta, me theksin se askush me aktakuzë nuk do të jetë pjesë e kabinetit qeverisës.
Prandaj tani, çdo qëndrim ndryshe përbën shkelje të drejtpërdrejtë të besimit qytetar, dëmton transparencën institucionale dhe e bën të pakuptimtë luftën ndaj korrupsionit në nivel lokal.
Për këtë arsye, EC kërkon që Kryetari i Komunës të veprojë në përputhje me zotimet publike dhe të shkarkojë zyrtarin në fjalë, duke treguar se etika dhe integriteti janë vlera që zbatohen në praktikë, jo vetëm në fushatë; dhe në këtë mënyrë të mundësohet që proceset pranë organeve të drejtësisë të zhvillohen në mënyrë të drejtë dhe transparente, pa ndikime politike apo institucionale.
Prizreni meriton një administratë komunale që është shembull i përgjegjësisë, që në përputhje me deklaratën në Planin e integritetit, zbaton në mënyrë sistematike dhe gjithëpërfshirëse standarde, parime dhe objektiva për parandalimin e korrupsionit dhe sjelljeve tjera të paligjshme dhe joprofesionale.