I Dërguari i Britanisë së Madhe për Dialogun në Kosovë-Serbi, Stuart Peach, ka thënë se ata përkrahin rrugën drejt normalizimit të raporteve në mes të dyja vendeve.
Në një intervistë për N1, Peach ka treguar se ata flasin me të dyja vendet në vazhdimësi.
“Britania bisedon me të dyja palët në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne mbështesim fuqishëm rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Në këtë moment ne vazhdojmë të mbështesim thirrjet e Bashkimit Evropian për deeskalim, këtë e kam bërë vetë gjatë vizitave të mia dhe e theksoj edhe një herë se sa urgjente është të vazhdojmë me dialogun. Në historinë tonë dhe në përvojën time gati gjysmë shekullore në ushtri, është gjithmonë mirë të flasësh”, shprehet emisari britanik.
Më tej Peach ka bërë thirrje për mbajtje të zgjedhjeve në katër komunat veriore.
“I bëjmë thirrje të dyja palëve që të deeskalojnë situatën, të kthehen serbët e Kosovës në institucione që të ketë ekuilibër dhe drejtësi në polici. Të kthehen sa më shpejt në aktivitetin normal të policisë dhe të mundësohet që demokracia të zërë rrënjë realisht në nivel lokal, me çka nënkuptoj zgjedhjet lokale. Ne presim përgjigjen më të madhe të mundshme dhe që të gjitha partitë të marrin pjesë në ato zgjedhje lokale”, tha Peach.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës tashmë e ka nxjerrë në konsultim publik Udhëzimin Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit.
Më 10 korrik, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, kanë konfirmuar se në një takim në Bratisllavë kanë arritur marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri.
Një ditë më vonë ishin prezantuar edhe hapat konkretë, të cilët parashikonin tërheqjen e 25 për qind të Policisë së Kosovës nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri, organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në fund të verës dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. /Reporteri.net