Qeveria e Kosovës në detyrë tashmë e ka jetësuar me një vendim kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta në Kosovë.
Në vendimin e publikuar nga ekzekutivi thuhet se personat që do të vijnë në Kosovë do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me ligj.
Këta 50 persona poashtu do të përkrahën financiarisht nga shteti kosovar me nga 120 euro në muaj.
Pikërisht për këtë e për kohën se kur pritet të vijnë ata në Kosovë është pyetur sot Kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Duhet ta kuptoni: janë ekipet e juristëve tanë që bashkëpunojnë me palën amerikane për detajet. Këtë përgjigje do ta gjeni në aspektin teknik të saj në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, ka thënë Albin Kurti – kryeministër në detyrë.
Por, kjo ministri nuk i është përgjigjur Dukagjinit për detaje tjera rreth këtij vendimi.
Ndërsa, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu i tha televizionit se tani për tani nuk kanë detaje të tjera që mund të ndahen me publikun.
Por, ish-zv.ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha po thotë se ky vendim është racional dhe ndihmon rregullimin e marrëdhënieve me SHBA-në.
“Besoj që është një veprim dhe vendim racional e strategjik i Qeverisë së Kosovës sepse me këtë kemi përfitu forcimin e partneritetit me SHBA-të prandaj edhe kemi mbështetjen nga Departamenti amerikan i shtetit, pra të vlerësuarit si një partner i besueshëm nga SHBA-ja është përfitimi kryesor”, ka thënë Hoxha.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, personat do të përzgjidhen nga një një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik.
Që nga nisja e mandatit të Presidenti Donald Trump, administrata e tij ka shikuar mundësi që t’i dërgojë në vende të treta personat e padokumentuar e që në SHBA kanë problem me ligjin.