Milan në shitje. Sipas të përditshmes franceze “L’Equipe”, fondi Elliot po përgatit shitjen e klubit kuqezi, si dhe atë të Lille, që faktikisht është një klub satelit. Madje ka edhe një blerës, fondi i Lindjes së Mesme Investcorp, me një pasuri prej 40 miliardë dollarësh, që e ka selinë në Bahrein. UEFA ndërkohë po ndjek nga afër ndërthurjet mes dy klubeve.
Kjo pasi bëhet fjalë për ndërthurje komplekse, që siç shpjegon “L’Equipe”, kalojnë përmes një serie kompanish mes Luksemburgut, Ishujve Kaiman dhe Delaware. Por edhe nëpër Florida dhe më saktësisht në adresën e Elliot Investment Management, në West Palm Beach, ku kanë selinë Birch International dhe Birch Associates.
Bëhet fjalë për dy shoqëri që në fakt kontrollojnë Callisto Sporting, një shoqëri e regjistruar në Luksemburg, në pronësi të fondit Merlyn Partners, që e ka selinë po në Luksemburg dhe drejtohet nga holandezi Maarten Petermann, i cili qëndron në Londër. Patterman, kujton “L’Equipe”, është një ish punonjës i JP Morgan që bashkëpunoi në fillim të viteve 2000 pikërisht me fondin Elliot mbi menaxhimin e borxhit sovran të Argjentinës.
Në çdo rast, Merlyn, përmes fondeve me seli në Ishujt Kaiman, menaxhon borxhin e Lille, përmes Callisto. Kjo e fundit faktikisht administrohet nga Birch International Associates, që ka seli në zyrat amerikane të Elliot. Kështu kreditori kryesor i Lille në masën e 50 milionë eurove është pikërisht fondi Elliot.
Justifikimi i Peterman për “L’Equipe” është se Elliot nuk ka asnjë përfaqësues formal as te Lille dhe as te Merlyn, dhe nuk mund të influencojë në asnjë mënyrë në menaxhimin e klubit. Sipas të përditëshmes franceze fakti se fondi Elliot ka në pronësi faktikisht si Milanin dhe Lille që konsiderohet kështu një klub satelit, shpjegon edhe transferimin te kuqezinjtë të Maignan për 15 milionë euro, dhe ata që priten për Botman dhe Renato Sanchez.
UEFA gjithsesi po ndjek nga afër të gjithë çështjen. Veç të tjerash, pronarët e Milan janë që tani në kontakte me fondin nga Lindja e Mesme, jo vetëm për shitjen e klubit kuqezi, por edhe atë të Lille, që do të sfidojë skuadrën e Piolit verën e ardhshme në një turne me Juventusin dhe Realin e Madridit.
I themeluar në vitin 1982, Investcopr është një menaxhues global i produkteve të ndryshe duke operuar në pronat e patundshme, kredidhënien, dhe infrastrukturën. Sipas mediave të ndryshme, në 31 dhjetor të 2021-ahit Investcorp Gropup kishte në total asete që vlerësohen 40.4 miliardë dollarë./SS