Elion Krasniqi, zëri i ri nga Prizreni që po shkëlqen në Zvicër me baladat e tij, publikon “Shieza e saj”

0
404

Një emër i ri, por me shumë premtime në skenën muzikore shqiptare, Elion Krasniqi, i riu nga Prizreni që jeton në Gjenevë, po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje me baladat e tij të ndjera dhe stilin e veçantë muzikor që ndërthur kulturën shqiptare me ndikime moderne evropiane, shkruan 04 Online.

“Shieza e saj” është balada më e re e publikuar nga Elioni.

Edhe pse ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Gjenevë, Elioni nuk është shkëputur kurrë nga arti dhe kultura e rrënjëve të tij. Në studion e tij personale, ai krijon tinguj të ngrohtë, melodi me shpirt dhe këngë në gjuhën shqipe dhe frënge, duke dëshmuar se pasioni për muzikën nuk njeh kufij.

I rritur në Evropë, por me zemër shqiptare, Elioni është shembulli i brezit të ri që integrimin e jeton me dinjitet, pa harruar identitetin. Ai jo vetëm që këndon, por edhe luan në piano, kompozon dhe spikat në përpunimin e këngëve tradicionale shqipe në një frymë moderne. Një nga këngët që ka tërhequr vëmendje të veçantë është interpretimi i tij i “Prej një shpati ti lëshova sytë”, ku tradita takohet me tingujt bashkëkohorë.

Me zërin e tij karakteristik dhe talentin që po lulëzon çdo ditë e më shumë, Elion Krasniqi po bëhet një emër për t’u mbajtur mend në muzikën shqiptare moderne./04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here