Ekspertët flasin për gjasat e liberalizmit të vizave për Kosovën gjatë presidencës franceze të BE-së

0
255

Përkundër se ka plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara nga Komisioni Evropian, Kosova vazhdon të mos marrë liberalizimin e vizave tash e sa vjet, duke mbetur kështu shteti i vetëm në Ballkan, qytetarët e së cilit nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes.

Kosovarët vazhdojnë të kenë vështirësi të shumta sa i përket pajisjes me një vizë udhëtimi në vendet e Evropës Perëndimore, ku kërkohen dokumente të shumta dhe po ashtu shpenzimet për një aplikim për vizë janë mjaft të larta.

Të gjitha partitë, që kanë qenë në pushtet, janë zotuar që do ta shtyjnë përpara procesin e liberalizimit të vizave, por që deri tani nuk ka pasur asnjë lëvizje pozitive drejt heqjes së vizave.

Megjithatë, disa nga njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane, deklarojnë se Kosova mund të ketë liberalizim të vizave gjatë vitit 2022, pasi Franca ka marrë kryesimin e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare Afrim Hoti, ka thënë për Telegrafin se mund të ketë lëvizje pozitive sa i përket vizave gjatë vitit 2022.

“Në kuptimin procedural nuk ka ndonjë diferencë të madhe, sepse sikur Franca edhe vendet e tjera kanë të njëjtin pozicion, udhëheqin presidencën e këshillit. Ndërsa, duke pasur parasysh specifikat që ka prezantuar Franca, deri më tash është e besueshme që mund të ketë lëvizje pozitive në atë drejtim. Sepse Franca dihet që deri tani ka qenë penguese e këtij procesi bashkë me ndonjë vend, jo të ndonjë rëndësie të madhe politike”, është shprehur ai.

Mes tjerash, Hoti ka thënë se tani është koha për të vepruar edhe autoritetet kosovare.

“Mendoj se tani është momentumi i mirë për të vepruar edhe nga autoritetet tona në mënyrë që të heqim çfarëdo dileme që Parisi zyrtar ka për çështjen e liberalizimit të vizave. Në mënyrë dhe që eventualisht në pjesën e parë të 2022 do të këtë lëvizjes pozitive”, pohoi Hoti.

Gjithashtu, Hoti ka thënë se është shumë shqetësuese ikja e të rinjve nga Kosova.

“Është shumë shqetësuese ikja e të rinjve të Evropës Juglindore, duke filluar nga Rumania, Bullgaria dhe vendet e Ballkanit perëndimor, sido që të jetë kjo nuk duhet të jetë si pengesë për dhënien e liberalizimit të vizave. Sepse më shqetësuese është mbajtja në izolim e Kosovës sesa zbulimi i çfarëdo argumenti për kundërshtimin e vizave”, ka thënë Hoti.

Mendim ndryshe sa i përket çështjes së liberalizmit të vizave ka profesori i të Drejtës Evropiane, Avni Mazreku.

Mazreku thotë se nuk pret që Franca të fus në agjendë çështjen e liberalizmit të vizave, së paku në 6 muajt e parë të vitit 2022.

“Dihet që agjenda e Bashkimit Evropian përcaktohet nga trojka e Bashkimit Evropian, ashtu quhet pra, që nënkupton nga shteti që aktualisht e ka presidencën e radhës së BE-së. Franca është një nga shtetet më decidive të themi në përcaktimin e agjendës së BE-së, përkatësisht të Këshillit Evropian, për temat që do të trajtohen. Mund të konsiderohet po ashtu që këtë vit Franca futet në zgjedhje presidenciale dhe normalisht presidenti aktual Emmanuel Macron (është njëri nga kandidatët potencialë për tu rizgjedhur si president) të marrë parasysh që politika e kufijve të hapur nuk është temë popullore. Nuk pres që Franca do ta forcojë idenë e futjes në agjendë të çështjes së liberalizimit të vizave për së paku në gjashtëmujorin e parë të këtij viti”, potencoi ai.

Mazreku thotë se derisa Franca të përfundojë zgjedhjet presidenciale i afrohemi edhe fundit të kryesimit të saj në BE.

“Prandaj, unë nuk bëjë pjesë në grupin e optimistëve që çështja e liberalizimit të vizave do të ketë zgjidhje së paku në gjysmë e parë të vitit 2022”, pohoi Mazreku.

Mazreku po ashtu ka komentuar edhe aplikimin e madh të qytetarëve për tu pajisur me viza pune në shtetet evropiane, dukë thënë se largimi i të rinjve lidhet me aspektet tjera.

“Çështja e largimit të njerëzve nga vendi lidhet me aspektet të tjera: me çështjen e zhvillimit ekonomik, perspektivës së tyre dhe hapjes së vendeve të punës, të cilat do t’iu ofronin një standard së paku solid. Kosova edhe tani nuk ka arrit me rikuperu veten, në kontekst të një norme adekuate të zhvillimit ekonomik, e cila do të garantonte stabilitet sa i përket standardit të jetës. Është mjaft shqetësuese ikja e qytetarëve. Nëse vazhdon ky trend i ikjes Kosova rrezikon që popullsia e re të largohet e që ndikon negativisht edhe në zhvillimin e ekonomik të Kosovës”, ka potencuar ai.

Ndryshe, në qershor të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ishin takuar në Paris, ku pas takimit, Kurti kishte deklaruar se nuk kanë marrë ndonjë premtim nga Franca për heqjen e vizave për kosovarët.

“Sigurisht që qytetarët e Republikës së Kosovës janë të interesuar për liberalizimin e vizave dhe është e padrejtë që Kosova pas plotësimit të të gjitha kritereve, 95 sosh, ende nuk e ka të hequr regjimin e vizave. Më 18 korrik bëhen tri vjet prej se Komisioni Evropian ka thënë se Kosovës duhet t’i hiqet regjimi i vizave. Në vizitën tonë kjo temë është trajtuar. Unë jam i bindur që ata e kanë marrë mesazhin tonë, por s’ka zotim nga ana e tyre që do të ketë heqje të regjimit të vizave”, kishte thënë Kurti.

Gjatë Presidencës franceze të BE-së pritet edhe një konferencë kushtuar Ballkanit Perëndimor. Këtë e kishte paralajmëruar kohë më parë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron. /Telegrafi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here