Ekspertët e sigurisë: Pushtimi i Ukrainës nga Rusia rrit “apetitet” e Serbisë për destabilizim të Kosovës

0
254

Rusia të hënën ka njohur si shtete të pavarura dy rajone në Donbass në lindje të Ukrainës dhe menjëherë ka zbarkuar atje tanke dhe mjete tjera ushtarake.

Vizitorë nga Rusia këtë javë presin edhe në Serbi.

Në Serbi shkon Nikolay Patrushev, Sekretari i Këshillit Kombëtar të Rusisë, që njihet edhe si krahu i djathtë i Putinit.

Patrushev megjithatë është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vizita e tij po deshifrohet nga njohësit e çështjeve të sigurisë.

Fadil Kajtazi thotë se vizita e Patrushev nënkupton vazhdimin e luftës hibride në Ballkan.

“Nëse rusët do të kishin në plan një destabilizim ushtarak të Ballkanit, do të dërgonin në Serbi shefin e ushtrisë. Fakti që vjen shefi i shërbimeve intelegjente tregon se ata kanë plan të vazhdimit të luftës hibride përmes krijimit të kaosit politik”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Fadil Kajtazi.

Eksperti tjetër i sigurisë, Abit Hoxha thotë po ashtu se Serbia ka qëllim të destabilizojë Ballkanin.

“Nuk është më në pyetje nëse Serbia dëshiron ta destabilizojë Ballkanin. Pyetja është kur dhe si do të ndodh kjo gjë. Serbia është e ditur që ka në cak dy shtete për t’i destabilizuar. Pjesa e Bosnjës ku dominojnë serbët dhe Kosova”.

Mirëpo, Hoxha nuk përjashton as provokime ushtarake në afërsi të Kosovës.

“Manifestimi i kërcënimeve serbe do të vijë në disa forma, si shkelje të hapësirës ajrore të Kosovës, fluturimi i doneve dhe disa provokime tjera. Por unë mendoj se Serbia nuk do të bëjë provokim klasik duke futur ushtrinë në territorin e Kosovës për shkak të NATO-s”, deklaroi Hoxha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here