Një rast i rëndë është shënuar mbrëmjen e së premtes në Prizren, ku një konflikt pas një aksidenti trafiku ka përfunduar me sulm me thikë dhe plagosje të rëndë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burime të sigurta brenda hetuesisë bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 18 prill 2025, rreth orës 21:00, në rrugën “Xhevat Berisha”, ku një mosmarrëveshje mes dy personave që kishin pësuar aksident me dëme materiale ka eskaluar në dhunë fizike.
Sipas kallëzimit të një dëshmitari, i dyshuari S.K, pas një përplasjeje verbale me N. B, e ka sulmuar atë me mjet të mprehtë – thikë, duke i shkaktuar lëndime serioze.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, të cilat kanë shoqëruar viktimën në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku pas vlerësimit të gjendjes është transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK.
Ndërkohë, i dyshuari është ndaluar nga Policia dhe është dërguar në stacionin policor për intervistim. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”, dhe ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Hetimet e mëtejshme do të zhvillohen nga njësia e hetimeve rajonale të DRP-së.
Gazeta Sinjali do të raportojë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast të rëndë që tronditi qytetin e Prizrenit. /GazetaSinjali/