Ekskluzive: Dy të arrestuarit për spiunazh pjesë e agjendës serbe për mohimin e Masakrës së Reçakut dhe  sajimin e një Shtëpie të Verdhë

0
190

Një operacion hetimor disamuajsh ka rezultuar me arrestimin e dy agjentëve të dyshuar të shërbimit sekret serb në Ferizaj. Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe zyrtarët e saj, të cilët kanë qenë truri i operacionit, kanë arritur pastaj me prova ta bindin Prokurorinë dhe Policinë që të ndërmarrë masa. Por kush janë dy të arrestuarit që dyshohen se punuan për llogari të shërbimit sekret serb, BIA?

Sipas burimeve, bëhet fjalë për Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin.

Gazeta Express ka arritur të mësojë në detaje për profilin e tyre, për çfarë dyshohen ata, dhe për mënyrën se si kanë vepruar që nga vitet 90-ta, e sidomos viteve të fundit.

Bedri Shabani ka punuar si doganier gjatë viteve të 90-ta, pra gjatë periudhës së Millosheviqit, kurse Muharrem Qerimi ka punuar si zyrtar i Policisë së Kosovës, deri pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Është interesante të theksohet se këta dy persona nuk kanë funksionuar në ekip, por të dytë e kanë pasur të njëjtin kontakt në BIA.

Sipas informacioneve, eprori i tyre ka qenë oficeri i BIA’s serbe Srdjan Rosic, një serb i lindur në Ferizaj e që emri i tij ishte përmendur gjatë dëshmisë së Bogoljub Janicijevic në Hagë.

Por, çka kanë bërë ose çfarë kanë tentuar të bëjnë tutje Bedri Shabani e Muharrem Qerimi?

Informacionet tona të mbledhura nga organet e sigurisë së Kosovës thonë se qëllimi ka qenë kontaminimi dhe kriminalizimi i UÇK’së, përmes stisjes së provave ose fabrikimit të dëshmitarëve të ndryshëm.

Bedri Shabani, sipas këtyre informacioneve, ka provuar ta shtrembërojë të vërtetën për Masakrën e Reçakut.

Siç dihet, Serbia provon tash e sa vite që ta shtyjë narracionin e saj se kinse Masakra e Reçakut ka qenë e sajuar nga UÇK dhe bashkësia ndërkombëtare, se njerëzit e vrarë aty nuk janë vrarë nga policia dhe ushtria serbe por nga UÇK.

Me këtë narracion, ata tentojnë pastaj ta delegjitimojnë vet ndërhyrjen e NATO’s në Kosovë. Sipas informative tona, për t’i ndihmuar Serbisë në këtë narracion ka provuar edhe vet Bedri Shabani.

Sigurisht, kjo i mbetet prokurorisë dhe gjykatave që ta provojnë. Meqë aktualisht, Shabani është thjesht i dyshuar.

Po ashtu, ka informacione se Bedri Shabani ka provuar ta shpikë edhe një “Shtëpi të Verdhë” si ajo në veriun e Shqipërisë, por kësaj radhe në Kosovë.

Informatat e mbledhura në rrugë operative, janë se ai ka provuar që shtëpi të verdhë ta shndërrojë ish-spitalin e UÇK ‘së në fshatin Mollopolc, afër Reçakut.

Si Shabani, ashtu edhe Qerimi, ka dëshmi se kontaktet me eprorin e tyre të BIA’s i kanë mbajtur edhe fizikisht, por edhe përmes kontakteve tjera.

Ende nuk dihet kur saktësisht ata ranë në gjurmë nga AKI, por dyshohet se kohën e fundi ata kishin provuar ta inskenojnë një incident etnik në Kosovë: diçka që në Kosovë janë parë shpesh. Sipas gjitha gjasave, këtu ata janë zbuluar. Sido që të jetë, kjo tash është punë për prokurorinë.

Në këtë rast është interesant mënyra si kanë funksionuar të dyshuarit si agjentë të Serbisë. Bedri Shabani shumicën e kohës ka jetuar jashtë Kosovës, kurse Muharrem Qerimi, pas largimit nga policia, kishte provuar të paraqitet në publik si njeri i rëndësishëm, ose si njeri që punon për AKI’në ose ndonjë shërbim sekret të vendit. Ndërkohë, kishte vazhduar që të merret me patundshmëri.

Sipas informacioneve, prokuroria tashmë ka prova bindëse, materiale inkriminuese për ta dhe dokumentacione pafund që dëshmojnë se ata po përpiqeshin ta dëmtonin shtetin e Kosovës.

Ditëve të ardhshme, do të sjellim edhe dëshmi dhe prova të këtij rasti, e njëri prej tyre lidhen më një plan ogurzi, që ata kishin ndaj William Walker, ambasadorit amerikan që i tregoi botës për Masakrën e Reçakut.

VIDEO

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here