EKSKLUZIVE: Ambasada amerikane flet për anëtarësimin në NATO, tregon çfarë rruge duhet ndjekur Kosova

0
335

Kosova mund të demonstrojë më së miri gatishmërinë për përgjegjësitë e anëtarësimit në NATO duke vazhduar zbatimin aktiv të tranzicionit 10-vjeçar të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Kështu, të paktën, kanë bërë të ditur nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Besnik Gashi

Në një përgjigje ekskluzive për Lajmi.net, një zëdhënës i ambasadës amerikane në Kosovë, kanë thënë se ndonëse SHBA-të mbështesin aspiratat kosovare për anëtarësim në Aleancën-Veriatlantike, kërkesat për anëtarësim janë komplekse.

Si partner i palëkundur i Kosovës, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën të zërë vendin e merituar përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në përgjigjen e dhënë nëpërmjet e-mailit.

“Ndërsa Shtetet e Bashkuara mirëpresin aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, kërkesat për anëtarësim janë komplekse dhe kërkojnë një qasje afatgjatë dhe të qëllimshme”, deklaron më tej për mediumin zëdhënësi i ambasadës.

Siç theksohet më tej në përgjigjen e ambasadës për mediumin, SHBA vazhdon të mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke e parë fazën tranzitive të kalimit në ushtri si “përparim domethënës”.

“Ne vazhdojmë të mbështesim Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) pasi ajo bën përparim domethënës dhe domethënës në planin e saj 10-vjeçar të tranzicionit, i cili u zhvillua me mbështetjen e SHBA-së. Qëllimi i këtij plani është të ndërtojë një forcë mbrojtëse shumë-etnike dhe territoriale të ndërveprueshme nga NATO, nën kontrollin civil, e cila jo vetëm që është e aftë të mbrojë integritetin territorial të Kosovës, por të kontribuojë në përpjekjet globale të sigurisë përtej kufijve të Kosovës”, deklarohet ambasada amerikane në Prishtinë.

“Kosova mund të demonstrojë më së miri gatishmërinë e saj për përgjegjësitë e anëtarësimit në NATO duke vazhduar zbatimin aktiv të këtij plani 10-vjeçar të tranzicionit”, përfundon përgjigja.

Deklarimet e bazës diplomatike amerikane në Kosovë vijnë në vazhdën e kërkesave të krerëve shtetërorë kosovarë të anëtarësimit të vendit në organizatën ndërkombëtare ushtarake. Kërkesat e establishmentit kosovar është vlerësuar se po shoqërohen me frikën e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor dhe, Kosovës veçanërisht, nga Serbia, pushtetin e së cilës presidentja e kryeministri kosovar po preferojnë ta quajnë si “kukull të Putinit”.

Kryeministri kosovar, Albin Kurti, në vazhdueshmërinë e kërkesave për anëtarësimin e vendit në NATO nëpër mediat e huaja, një gjë të tillë e ka ritheksuar edhe në intervistën e tij mbrëmë në CNN. Kurti ka thënë se, përkundër që Kosova nuk është pjesë e NATO-s, është në dijeni për prezencën ushtarake të organizatës në Kosovë.

“Por ne jemi të vetëdijshëm që Kosova nuk është anëtare e NATO-s por NATO-n e kemi këtu”.

Shefi i ekzekutivit tha se intervenimi i NATO-s ndali gjenocidin serb dhe NATO është pjesë e historisë së Kosovës, andaj anëtarësimi sa më i shpejt do të jetë më mirë për vendin.

“Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia shpresoj që do të na njohin dhe në këtë mënyrë do të jemi anëtare e NATO-s”, deklaroi tutje ai.

Gjithashtu presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu në një letër dërguar presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i kërkoi mbështetje këtij të fundit për anëtarësimin e Kosovës në paktin e NATO-s.

“Si Presidente e Republikës së Kosovës, e pranoj se politika e jashtme dhe e sigurisë kombëtare e SHBA-së për Evropën përqendrohet në një Evropë të lirë, të plotë dhe në paqe dhe se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike është pjesë e një stabiliteti. marrëdhënie transatlantike. Duke pasur parasysh këtë, ne shprehim besimin dhe pritshmërinë tonë që SHBA-të do të përdorin lidershipin dhe ndikimin e tyre për të mbështetur dhe avancuar në mënyrë aktive procesin kompleks të anëtarësimit në NATO për Kosovën, duke filluar me programin pfp dhe anëtarësimin e plotë në Kartën e Adriatiku”, thuhet ndër të tjera në letrën që ia ka dërguar Osmani të parit të Amerikës.

Mbështetje iniciativa e përbashkimit të Kosovës në bllokun perëndimor ushtarak gjeti edhe nga një anëtare e saj. Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka thënë se për ta mbështetur Kosovën në anëtarësimin në NATO, nuk presin leje nga askush.

“Turqia si vend i rëndësishëm i NATO-s nuk shikon asnjë gjë që nuk shkon për sa i përket anëtarësimit të Kosovës këtu. Për ta mbështetur procesin e anëtarësimit në NATO s’kemi nevojë për të marrë leje nga askush. Ne i kemi ndërmarrë hapat tonë. Ashtu siç ndërmorëm në rastin e njohjes, ashtu do të bëjmë edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO”, tha presidenti turk përgjatë një konference të përbashkët me presidenten kosovare.

Shteti i fundit që i është bashkëngjitur organizatës perëndimore është Shqipëria, më 2009-ën. Përfaqësuesja e Komisionit për Politikë të Jashtme e Shqipërisë, përgjatë një vizite në Kosovë, ka thënë se përpjekja që bën shteti fqinj për anëtarësimin e Kosovës në NATO nuk e bën askush tjetër.

“Besoj se atë që Shqipëria e bënë për anëtarësimin e Kosovës në NATO nuk e bënë asnjë vend tjetër Nuk është një surprizë e madhe as për ne dhe as për ju mos prezenca e Serbisë në ndarjen e të njëjtit opinion, vendosjen e sanksioneve që kanë vendosur ShBA, BE-ja dhe jo vetëm”, theksoi Kodheli.

NATO është organizata ushtarake më e madhe në botë, pjesë e së cilës janë 30 shtete anëtare.

NATO ishte edhe parakusht i lirisë së Kosovës me intervenimin humanitar më 1999-ën, që zgjati 78 ditë në mënyrë që t’i largonte forcat serbe nga ajo që nga 2008-a e tutje u njoh si Republika e Kosovës nga shumica e vendeve demokratike të botës. /Lajmi.net/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here