Futbolli italian rrezikon një dështim historik në Ligën e Kampionëve, me mundësinë reale që asnjë klub nga Serie A të mos jetë në mesin e 16 më të mirëve këtë sezon.
Që nga sezoni 2003/04, kur u rikthye formati i fazës së 1/16-ës, gjithmonë ka pasur të paktën një përfaqësues italian. Në fakt, që nga sezoni 1987/88 kur Napoli u eliminua nga Real Madrid, Italia ka qenë çdo vit e pranishme në fazat me eliminim direkt.
Megjithatë, eliminimi shokues i Interit nga debutuesit norvegjezë të Bodø/Glimt ka vënë në rrezik këtë seri historike. Tani shpresat varen nga Juventus dhe Atalanta, që duhet të përmbysin disavantazhe të mëdha nga ndeshjet e para.
Juventusi humbi 5-2 ndaj Galatasaray dhe i duhet një përmbysje e madhe në Torino, ndërsa Atalanta është 2-0 në disavantazh para përballjes së kthimit me Borussia Dortmund. Ndërkohë, Interi, finalist sezonin e kaluar u eliminua me rezultat të përgjithshëm 4-2 nga Bodø/Glimt.
Gazetari italian Daniele Verri e quajti situatën “një alarm të madh” për futbollin italian, duke paralajmëruar se eliminimi i të tre skuadrave do të ishte “një katastrofë e plotë”.
Në fund të viteve ’90, Serie A ishte kampionati më i fortë në botë, me Interin që afroi yje si Ronaldo Nazário dhe Christian Vieri për shifra rekord.
Më pas, AC Milan fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2003 dhe sërish në 2007, ndërsa triumfi i fundit italian në këtë garë mbetet ai i Interit të drejtuar nga José Mourinho në vitin 2010.
Edhe pse ka pasur suksese më të fundit në kompeticionet dytësore si triumfi i Atalantës në Europa League 2024 dhe i Roma në Conference League 2021, niveli në Champions duket në rënie.
Ekspertët theksojnë se problemi është më i thellë. Sipas Verrit, futbolli italian po vuan nga ritmi i ulët i lojës dhe nga çështje strukturore.
Edhe gazetari Vincenzo Credendino theksoi se, megjithëse Interi dominon në Itali, në plan afatgjatë Serie A nuk është më në nivelin e elitës europiane.
Një tjetër shqetësim është largimi i yjeve. Golashënuesi i sezonit të kaluar në Serie A, Mateo Retegui, u transferua në Arabinë Saudite, ndërsa lojtarë si Tijjani Reijnders dhe Ademola Lookman kanë lëvizur jashtë Italisë.
Sipas analistit Julien Laurens, klubet italiane gjithashtu nuk po prodhojnë mjaftueshëm talente të rinj, ndryshe nga modele si Sporting CP, Club Brugge dhe Bodø/Glimt.
Me Kombëtaren italiane që gjithashtu rrezikon të humbasë një tjetër Botëror, sinjalet për futbollin italian janë alarmante.
Nëse Juventus dhe Atalanta nuk arrijnë përmbysje spektakolare, Italia mund të përjetojë një nga momentet më të errëta në historinë e saj europiane, një turpërim që mund të detyrojë reformë të thellë në Serie A.













































