Manchester United është një nga klubet më të mëdha dhe të suksesshëm në Angli. Historia e Djajve të Kuq ka njohur shumë lojtarë të cilët kanë lënë gjurmë jo vetëm në klubin nga Manchesteri, por edhe në historinë e Premier League.
Megjithatë, vitet e fundit, drejtuesit kanë zhgënjyer tifozët në këtë drejtim pasi nuk kanë mundur të “peshkojnë” lojtarët e duhur pasi pavarësisht se kanë shpenzuar jo pak në merkato, sërish nuk janë gjetur personazhet e duhur. Mjaftojnë pesë emra për të kuptuar më mirë dështimet e United në merkato. Paul Pogba, Romelu Lukaku, Harry Maguire, Jadon Sancho dhe Antony.
Pogba është lojtari më i shtrenjtë në historinë e United teksa u transferua nga Juventus për 89 milionë paund në vitin 2016. Francezi iu bashkua anglezëve si një prej mesfushorëve më të mirë të kohës, por nuk mundi të gjente vazhdimësinë në Old Trafford dhe zhgënjeu shumë. Më pas Lukaku. Belgu i kushtoi arkave të United 75 milionë paund kur e transferuan në vitin 2017 nga Everton. Sulmuesi zhgëjeu sidomos në sezonin e dytë në Old Trafford duke shënuar vetëm 15 gola në 45 ndeshje.
Tjetri në radhë është Maguire, historia e të cilit tashmë dihet. Mbrojtësi u transferua nga Leicester për shifrën e 80 milionë paundëve, por pavarësisht se mbajti edhe shiritin e United, kurrë nuk mundi të ngjitej në lartësinë e historisë së klubit.
Jadon Sancho u transferua nga Borussia Dortmund në vitin 2021 për shifrën e 73 milionë paundëve. Në 82 ndeshje për United ka mundur të gjejë rrugën e rrjetës vetëm në 12 raste. Vazhdimësia i mungon shumë lojtarit britanik dhe tashmë konflikti i hapur me trajnerin Erik ten Hag e përkeqëson edhe më shumë pozitën e tij në klub.
I fundit, Antony. Braziliani u transferua në Old Trafford vitin e kaluar për shumën e 85.5 milionë paundëve nga Ajax. Këtë sezon pritej edhe shpërthimi i tij duke qenë se ai i kaluari u quajt si një sezon përshtatje me futbollin e Premier League. Por, Antony sërish nuk bind. Në 48 ndeshje me United ka shënuar vetëm tetë gola dhe tre asist ndërsa tashmë problemet personale ku akuzohet nga e ish e dashura për dhunë, vetëm sa i përkeqësojnë pozitat e tij në klub.
Të gjithë emrat e sipërpërmendur i kanë kushtuar United plot 402.5 milionë paund, miliona të cilat nuk janë justifikuar në fushë dhe mbi të gjitha janë më shumë se sa ka shpenzuar Manchester City në dy sezonet e fundit për të transferuar nëntë lojtarë përfshirë këtu Erling Haaland./SS