Reklamimi i pakontrolluar në Qendrën Historike të Prizrenit po vazhdon, pavarësisht ndalesave ligjore thuhet në reagimin e EC Ma Ndryshe, raporton 04 Online.
Sipas EMN-së, shumë lokale janë të mbuluara me reklama të mëdha dhe të ndriçuara, pa pëlqimin e QRTK-së, duke dëmtuar karakterin historik dhe estetik të zonës së mbrojtur.
Reagimi i plotë i EC Ma Ndryshe:
Reklamimi kaotik në Qendrën Historike të Prizrenit po vazhdon përkundër dispozitave ligjore që parashohin vendosjen e rregullit për këtë çështje.
Pavarësisht këtyre dispozitave dhe akteve të komunës që ndalojnë vendosjen e reklamave me përmasa mbi 1m² pa pëlqimin paraprak të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK), një numër i konsiderueshëm i ndërtesave dhe lokaleve afariste janë të mbuluara me reklama të mëdha, të ndriçuara dhe shpesh të vendosura në mënyrë që dëmtojnë karakterin historik dhe estetik të hapësirës publike në këtë zonë të mbrojtur.
Sipas përgjigjes me shkrim të QRTK-së “asnjë nga subjektet afariste që kanë të vendosura reklama me përmasa mbi 1m² në Zonën e Mbrojtur nuk është i pajisur me pëlqimin paraprak nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Prizren”.
Kjo qendër ka theksuar në kuadër të kompetencave të saj dhe në përputhje me detyrat e brendshme institucionale, kryen monitorim të rregullt të punimeve dhe veprimtarive në Qendrën Historike të Prizrenit, përfshirë edhe vendosjen e reklamave.
“Rastet e konstatuara janë adresuar vazhdimisht tek institucionet kompetente për veprim të mëtutjeshëm”, ka bërë të ditur QRTK.
Ndërsa Drejtoria e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit ka sqaruar se të gjitha reklamat që kanë qenë të vendosura mbi kulmet e bizneseve janë larguar në Qendrën Historike.
“Të gjitha reklamat tjera që janë të vendosura në muret e lokaleve të bizneseve janë evidentuar meqë bizneset kanë parashtruar kërkesë për tu pajisur me leje. Në Drejtorinë për Urbanizëm nuk ka patur dhe nuk ka akoma një formë se si do të duhej të duken reklamat në këtë zonë. Aty ku ka pasur ankesa nga qytetarët që kanë paraqitur pengesë ne i kemi larguar ato reklama. Pavarësisht të gjithave, ne do të vazhdojmë ti evidentojmë dhe përfundimisht ti largojmë të gjitha reklamat që nuk përkojnë me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit”, thuhet në përgjigjen e DI-së.
Komuna e Prizrenit pak vite më parë pat iniciuar hartimin e Projekt-Rregullores mbi trajtimin e mënyrës së shfrytëzimit të hapësirës publike të qytetit dhe Zonës Historike të Prizrenit, por e njëjta nuk ishte miratuar nga niveli qendror. Ndërkohë disa prej sfidave kanë mbetur të paadresuara, që prej asaj kohe.
EC Ma Ndryshe përkujton se Qendra Historike e Prizrenit nuk është një hapësirë tregtare e zakonshme, por është një pasuri kulturore me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, që gëzon mbrojtje ligjore. Kjo gjendje e reklamimit kaotik jo vetëm që dëmton autenticitetin dhe integritetin vizual të Qendrës Historike, por rrezikon edhe potencialin e zhvillimit të turizmit kulturor dhe identitetin kolektiv të qytetit.
Prandaj, EC Ma Ndryshe duke marrë për bazë edhe përmbajtjen e Planit të Menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit apelon për hartimin urgjent të rregullores dhe udhëzuesit teknik për reklamat në këtë zonë të mbrojtur.
Njëherësh i bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që ta trajtojnë me seriozitet situatën aktuale dhe të ndërmarrin masa konkrete për të vendosur rend në këtë hapësirë unike.