Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në mesditë në qytetin e Prizrenit, ku një 40-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë nga kulmi i një ndërtese gjatë punës.
Gazeta Sinjali ka mësuar identitetin e personit që humbi jetën tragjikisht sot në Prizren, pasi ra nga kulmi i një ndërtese ku ishte duke punuar në kushte të pasigurta.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima është Nexhat Xhulani, 40-vjeçar i cili po punonte në montimin e kulmit të një ndërtese në rrugën “Besim Shala”, kur ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga lartësia.
Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Prizrenit, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë pak pas mbërritjes, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore.
Sinjali mëson se Xhulani nuk kishte kontratë pune dhe po punonte në mënyrë private, pa ndonjë mbikëqyrje zyrtare dhe pa pajisje mbrojtëse, çka e bën edhe më të rëndë situatën.
Me rastin janë marrë njësitet përkatëse të Policisë, hetuesit dhe krimteknikët, ndërsa Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Hetim i vdekjes”. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Gazeta Sinjali do ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri./Gazeta Sinjali/