Një rast i trishtë ka ndodhur sot në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, ku një 12-vjeçare është sulmuar seksualisht nga një burrë 50-vjeçar, derisa po kthehej në shtëpi. Sinjali ka mësuar detaje se si 50-vjeçari e shfrytëzoi rastin kur e mitura po kalonte kah një rrugicë për t’u kthyer në shtëpinë e saj.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Policia rajonale në Prizren është njoftuar për rastin rreth orëve të mesditës, kur edhe është kontaktuar nëna e vajzës, e cila ka rrëfyer detaje për momentin që e ka përjetuar e bija.
Sipas të njëjtave burime, në dëshminë e saj të dhënë para zyrtarëve policorë, nëna e viktimës ka deklaruar se fillimisht vajza e saj e kishte shoqëruar atë deri të puna e saj, në orët e mëngjesit. Pasi 12-vjeçarja është përshëndetur me të ëmën, ka marrë rrugën për t’u kthyer në shtëpi.
Por rrugës e mitura përjetoi momente të trishta, kur u përballë me një burrë që e sulmoi seksualisht. Sinjali mëson se derisa vajza po kalonte kah një rrugicë e ngushtë, para syve i doli një person rreth 50-vjeçar, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari si fillim e mori në pyetje vajzën, e më pas u ‘shlirua’, duke ia vënë asaj dorën në krahun e saj, me ç’rast e ka prekur në gjoks. Vajza tentoi të largohej, por nuk ia arriti pasi 50-vjeçari iu afrua edhe më shumë, duke e puthur disa herë në sy e në buzë.
Pasi është marrë deklarata e nënës së vajzës, Policia ka nisur hetimet, me ç’rast ka siguruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë, të vendosura në pjesën e rrugës ku ndodhi ngjarja. Nga video-incizimet pritet të bëhet identifikimi i të dyshuarit, pasi i njëjti ende nuk është kapur.
Prokurori kujdestar ka urdhëruar që të iniciohet rasti si “sulm seksual” dhe të nisin hetimet për kapjen e të dyshuarit për këtë rast.
Sinjali do të ju mbajë të informuar posa Policia do t’ia vë prangat burrit 50-vjeçar që dyshohet se sulmoi vajzën në Prizren./GazetaSinjali