Mikel Arteta ka gjetur çelësin për rikthimin e Arsenalit mes skuadrave elitare në Angli. Dyshimet që lindën në fillim të sezonit, kur “topçinjtë” pësuan tri humbje në tri javët e par, janë zbehur me kalimin e kohës.
Zhgënjimi i madh erdhi në FA Cup, me eliminim nga Nottingham Forest, një ekip i Championship. Në Kupën e Ligës “topçinjtë” avancuan deri në gjysmëfinale, ku u eliminuan nga Liverpooli, që në fund e fitoi trofenë falë suksesit në finale ndaj Chelsea-t pas goditjeve të 11-metërshave.
Por sezoni i Arsenalit mund të quhet i suksesshëm falë paraqitjes së shkëlqyer në Premier. “Topçinjtë” renditen në vendin e katërt, pra në zonën Champions, kompeticion në të cilin mund të rikthehen pas pesë sezonesh mungesë.
Në këtë situatë, me synimin për një rikthim të mundshëm në Champions League, klubi tashmë po mendon për përforcimin e skuadrës. Janë të shumtë emrat që përfliten për një transferimin në ekipin londinez, që kërkon të përforcohet në të gjitha repartet. Isak, Darwin Núñez, Calvert-Lewin, Ruben Neves, Tielemans… Lista është shumë e gjatë, por orët e fundit ka dalë në skenë një emër i ri, që do të ishte më i rëndësishmi.
Sipas “The Sun”, Arsenali pretendon të blejë Serge Gbabry-n nga Bayerni i Mynihut. Anësori gjerman ka qenë pjesë e “Topçinjve” vite në parë, por u lejua të largohej për vetëm 2.5 milionë euro në 2016.
Destinacioni i tij ishte Gjermania, fillimisht tek Werder Bremeni, për t’iu bashkuar më pas gjigantëve të Bundesligës. Tani tek Arsenali po përgatitin një ofertë prej 75 milionë eurosh për ta kthyer në “Emirates”. Futbollisti ende nuk e ka rinovuar kontratën me Bayernin dhe në shumë raste është shprehur se me zemër mbetet “topçi”. Ndoshta po paraqitet një mundësi ideale për ribashkim./SS