Një ngjarje e rëndë me pasoja fatale është shënuar në Prizren, ku një punëtor ka humbur jetën pasi kishte mbetur pa oksigjen gjatë kryerjes së detyrës në vendin e punës.
Rasti lidhet me incidentin e ndodhur më 07.07.2025 rreth orës 12:40 në rrugën “Brigada 125”, ku viktima Besnik Hallaçi kishte qenë duke pastruar një pusete, kur për shkaqe ende të pasqaruara kishte mbetur pa oksigjen dhe është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren.
Fillimisht rasti ishte iniciuar si “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”, ndërsa dje është konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë në repartin e kujdesit intensiv të Spitalit Rajonal në Prizren, si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore.
Lidhur me rastin janë njoftuar të gjitha njësitë relevante dhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të vdekjes./Gazeta Sinjali/














































