E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi po bëhet gjithnjë e më e paqartë. Edhe pse klubi madrilen e ka rinovimin e tij si një nga prioritetet kryesore të kësaj vere, palët duket se janë larg një marrëveshjeje.
Sulmuesi brazilian ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2027, por me më pak se dy vite të mbetura, drejtuesit e Realit janë të shqetësuar se situata mund të përshkallëzohet verën e ardhshme – kur Vinicius do të hyjë në vitin e fundit të kontratës.
Sipas “OkDiario”, kampi i Viniciusit nuk e përjashton mundësinë që ai të lejojë kontratën të skadojë dhe të largohet si lojtar i lirë në vitin 2027.
Vinicius ka kërkuar të jetë lojtari më i paguar në skuadër, një kërkesë që fillimisht klubi ishte i gatshëm ta përmbushte. Por situata ndryshoi pas transferimit të Kylian Mbappe-s dhe bonusit të majmë që ai përfitoi, duke i vënë në vështirësi financiare “Los Blancos”.
Për këtë arsye, braziliani është tërhequr nga negociatat për rinovimin. Oferta që do ta mbante në “Santiago Bernabeu” deri në vitin 2030 vazhdon të jetë në tryezë, por mbetet e paprekur.
Nëse bisedimet nuk lëvizin nga vendi, Real Madridi mund të detyrohet të shesë yllin brazilian që gjatë këtij afati kalimtar, për të shmangur rrezikun që ai të largohet pa asnjë përfitim financiar në të ardhmen.