Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.
Një shitës i mundshëm droge ka rënë në prangat e Policisë të premten në rrugën ‘Ibrahim Lutfiu’ në Prizren.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari D.Kasimi, fillimisht dyshohej se po bënte shitblerje të narkotikëve, në një zonë të Prizrenit.
Policia ka zhvilluar aksion për kapjen e tij, por i njëjti ka tentuar të ikë, duke u hedhur nga një lartësi, edhe pse nuk ka arritur t’iu shpëtojë prangave.
Për shkak të lëndimeve që ka pësuar, i dyshuari është dërguar në Spitalin e Prizrenit për trajtim mjekësor e më pas është shoqëruar në stacion.
Me rastin e kontrollit policor, të dyshuarit i është gjetur një sasi e substances narkotike, e llojit marihuanë.
Droga është sekuestruar ndërsa i dyshuari ka dhënë intervistë para hetusve policorë për veprën me të cilën ngarkohet.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rast nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga Gjykata.