Përdorimi i drogës është bërë një dukuri që po vazhdon të rritet dita ditës në Kosovë, pasi pothuajse çdo ditë raportohet për raste kur të rinjtë kapen duke bërë shitblerje ose duke konsumuar drogë, shkruan Gazeta Sinjali.
Për këtë janë shoqëruar në Polici dje pasdite dy të rinj në Prizren, pasi u kapën me 2 kilogramë marihuanë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti është zbuluar pasi një njësi e Policisë që po patrullonte në rrugën ‘Ismail Qemali’, kanë ndalur për kontroll një veturë e cila po drejtohej nga një vajzë.
22-vjeçarja nuk i është bindur Policisë dhe ka rritur shpejtësinë e veturës për të ikur dhe gjatë vozitjes ka shkaktuar dëme në një lokal dhe një veturë që ishte e parkuar.
Pasagjeri që ndodhej në veturë, ka tentuar të ikë bashkë me narkotikët, por është arritur që të arrestohet.
Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në banesën e 22-vjeçarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar një mulli për bluarjen e mariuanës dhe dy sprejë.
Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të rinjve është iniciuar rasti për veprën penale ‘Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara do të hetohet në liri.