Dy raste të sfidës ‘Superman’ në shkollat e Prizrenit, Policia dhe Komuna marrin masa

0
141

Zyrtarë të qeverisë komunale në Prizren dhe ata të Policisë së Kosovës kanë njoftuar se kanë ndërmarrë veprime për parandalimin e vetëlëndimeve të nxënësve nga sfidat e ndryshme në rrjetet sociale.

Megjithatë në shkollat e Komunës së Prizrenit janë regjistruar dy raste të sfidës “Superman”, raporton Telegrafi.

“Janë dy raste që janë potencuar nga Policia e Kosovës për vetëlëndim nga lojërat përkatësisht të lojës ‘Superman’. Si Drejtori e Arsimit dhe si Komunë e Prizrenit me kohë kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme bashkë me drejtuesit e shkollave dhe ekipet profesionale që të bashkëbisedojmë me nxënësit dhe me prindërit për parandalimin e këtyre rasteve. Fatmirësisht nuk kemi pas lëndime në shkollat tona”, ka thënë drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj.

Ndërkaq kapiteni Haxhi Kabashi nga Policia e Kosovës ka theksuar se ka pasur takime ndërgjegjësuese lidhur me këtë sfidë.

“Kohët e fundit është paraqitur një lojë në TikTok që quhet ‘Superman’. Zyrtarët tonë i kanë kontaktuar të gjitha shkollat, edhe fillore edhe të mesme, për të ndikuar te nxënësit që mos të bëhen pjesë e kësaj loje. Është një lojë që paraqet rrezik, që mund të shkaktojë lëndime”, ka deklaruar Kabashi, në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Komandanti i Stacionit Policor në Prizren, kapiteni Nexhdet Mrasori ka theksuar se gjatë muajve të fundit janë realizuar vizita e ligjërata në shkolla me qëllim të parandalimit të dukurive negative, raporton Telegrafi.

“Për 3 muaj janë realizuar 403 vizita, përfshirë ligjëratat, që janë mbajtur në shkolla lidhur me dukuritë e ndryshme negative, me qëllim të parandalimit të tyre si dhe ndërgjegjësimin për to”, ka bërë të ditur Mrasori.

Në anën tjetër drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj Gutaj ka theksuar se bashkëpunimi dhe ligjëratat nga ekipet e Policisë së Kosovës kanë pasur ndikim pozitiv në rritjen e sigurisë në shkollat e Komunës së Prizrenit.

“Ka pasur raste të ngacmimeve mes nxënësve, por jo me probleme të theksuara. Falë bashkëpunimit shumë të mirë me Policinë e Kosovës, me drejtuesit e shkollave e në veçanti me prindërit, gjysmëvjetori shkollor në aspektin e sigurisë përmbyllet në kushte optimale ose të kënaqshme”, është shprehur zyrtarja e lartë komunale, raporton Telegrafi.

Në të njëjtën kohë ajo ka theksuar se DKA-ja është në proces të hartimit të Strategjisë për siguri në shkolla, me qëllim të adresimit të sfidave ekzistuese në bashkëpunim me komunitetin shkollor. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here