Superliga e Kosovës në futboll do të vazhdojë sot me xhiron e katërt të saj.
Në program do të jenë dy ndeshje shumë interesante duke nisur nga ora 16:00, shkruan Gazeta Express.
Në “Liman Gegaj”, Malisheva do ta presë kampionin në fuqi, Ballkanin.
Malishevasit kanë katër pikë nga dy ndeshje, kurse Ballkani prin me shtatë në renditje.
Gjilani që ende nuk e ka shijuar fitoren këtë sezon do të tentojë ta bëjë këtë sot, ku udhëton për t’u përballur me Suharekën.
Gjilanasit aktualisht kanë vetëm dy pikë nga tri ndeshje dhe mbajnë pozitën e tetë në renditje.
Në anën tjetër, Suhareka është e katërta në tabelë me katër pikë pas dy ballafaqimeve.
Nesër, zhvillohet ndeshja e fundit e kësaj xhiroje mes Dritës që e luan ndeshjen e parë të sezonit dhe ekipit të Ferizajt.