Duka për lojtarët nga Kosova: Kombëtarja i ka dyert e hapura për çdo shqiptar, kudo që jeton

0
68

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar së fundmi në emisionin “Hajde Flasim” në TV 21, në Maqedoninë e Veriut.

Në këtë intervistë, e para e tij në një studio televizive në Maqedoninë e Veriut, kreu i futbollit shqiptar foli gjerësisht për Kombëtaren shqiptare, për lojtarët me origjinë shqiptare që përfaqësojnë Shqipërinë, si dhe për ata që kanë zgjedhur të luajnë për Maqedoninë e Veriut apo Kosovën.

Presidenti Duka u ndal gjithashtu te marrëdhëniet me presidencën e re të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, roli i tij si Zëvendëspresident i UEFA-s, organizimi i finaleve të Kampionatit Europian U-21 në bashkëpunim me Serbinë dhe shumë çështje të tjera me interes për publikun.

Më poshtë, intervista e plotë e Presidentit Duka.

Sa e rëndësishme është për futbollin në Shqipëri roli juaj si zëvendëspresident i UEFA-s? – Kënaqësi që jam në TV 21, që unë e ndjek vazhdimisht. Për herë të parë jam në një televizion në Maqedoninë e Veriut për një intervistë në studio. Pozicionimi apo përfaqësimi i një federate në UEFA është i rëndësishëm për çdo lloj federate. Tregon kontributin dhe vlerësimin e një federate në tërësi dhe jo të një individi që është në rastin konkret Presidenti i FSHF. Besoj se është një zhvillim pozitiv. Nuk lidhet me sa projekte fiton FSHF. Nuk je anëtar i Komitetit për të fituar projekte të padrejta por je anëtar i Komitetit për të ndërtuar politika dhe strategji për zhvillimin e futbollit europian. Pjesë e të cilit jemi edhe ne, Maqedonia e Veriut dhe Kosova dhe të gjithë të tjerat. Në nivel europian është zhvillimi i përbashkët i futbollit.

Fitorja ndaj Serbisë e Kombëtares dhe shanset për t’u kualifikuar në Botëror? – Është një rrugëtim i vështirë botërori, është një rrugëtim akoma më i vështirë se sa kualifikueset për Kampionatin Evropian, të cilin ne e kemi e kemi prekur dy herë gjatë tetë viteve të fundit. Rezultati me Serbinë i parë në këndvështrimin sportive ishte shumë i rëndësishëm për neve,  sepse na mban në lojë për të qenë pretendent për Play-Off-in e Botërorit. Nuk jemi ende në play-off, kemi ndeshje kundër Andorrës, kemi ndeshjen kundër Anglisë, pra janë dy ndeshjet tona. Dy ndeshjet e Serbisë, për të përcaktuar padyshim që jemi pretendent serioz. Jemi një pikë, vetëm një pikë para Serbisë.

Duhet të vlerësojmë maksimalisht Andorrën. Është një kundërshtar i cili mund të dëmtojë një kundërshtar, që në fushën e vet nuk është i lehtë për t’u mundur. Nëse mendohet para ndeshjes si ne kemi fituar, nuk do ta fitojmë atë, por unë shpresoj shumë dhe kam besim që futbollistët e kombëtares shqiptare janë aq profesionistë që të kuptojnë rëndësinë dhe vlerësimin që duhet t’i japin asaj ndeshje për ta fituar atë pastaj, se ç’bëjnë të tjerët, duhet ta shohim. Nuk ka shumë diferenca në ekipet kombëtare sot. Janë ngushtuar shumë diferencat. Është e vështirë të parashikosh rezultate. Me ndonjë përjashtim të vogël, ndonjë skuadër teke që mund ta parashikosh, të tjerat janë të paparashikueshme.

Afrimi i futbollistëve me origjinë nga Kosova apo Maqedonia në Kombëtaren shqiptare – Ne kemi hapur dyert për ekipin kombëtar prej vitesh për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe besoj se kjo është gjëja më e mirë që kemi bërë. Jemi me fat që kemi kaq shumë tifozë jo vetëm brenda kufijve shtetërorë,  por edhe jashtë saj. Në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë dhe jashtë saj. Strategjia jonë ka qenë që çdokush që flet shqip, që ka dëshirë, talent dhe do të kontribuojë për Kombëtaren dhe flamurin kuqezi, ne i kemi hapur dyert. Edhe në kohën kur Kosova nuk kishte skuadër, që ishte një urë për ta afruar Kosovën me FIFA-n dhe UEFA-n dhe jemi të lumtur që kemi kaq shumë talente shqiptarë. Do të respektojmë vendimet e tyre për të kontribuar për kombëtaren e Shqipërisë apo edhe nëse vendosin ndryshe.

Zgjedhjet e lojtarëve për të përfaqësuar Shqipërinë ose Kosovën dhe marrëdhëniet me FFK? – Ne kemi raporte të shkëlqyera vëllazërore me Federatën e Kosovës. Respektojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin në të gjitha hapat e zhvillimit tonë. Kemi kontribuar maksimalisht  edhe në kohën kur Kosova nuk kishte mundësi të ishte apo nuk kishte ndeshje ndërkombëtare, nuk ishte e njohur, kishte më pak mundësi. Të njëjtën gjë bëjmë tani, ndërsa ja kam bërë qartë publikisht dhe zyrtarisht Agim Ademi dhe gjithkujt, që çdo njeri, çdo shqiptar që dëshiron të kontribuojë për Kombëtaren e Shqipërisë, ne do të vazhdojmë të kemi të njëjtën politikë. Padyshim që nuk mërzitemi nëse ata vendosin ndryshe. Nuk mërzitemi. Kemi dëshirë që ato të jenë më mirë vetëm me ne, por nëse vendosin ndryshe…

Shqiptarët që luajnë në Maqedoninë e Veriut? – Shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut janë pjesë e shtetit maqedonas dhe është legjitime që të luajnë për Kombëtaren e Maqedonisë së Veriut. Kjo vjen edhe natyrshëm sepse kur janë të vegjël, selektohen për ekipet e moshave dhe shkojnë deri në ekip të parë. Ne respektojmë zgjedhjet edhe kur luajnë për një kombëtare tjetër, do kishim dëshirë të luanin për Shqipërinë ata që janë shqiptarë, por është legjitime  që luajnë për Maqedoninë. Për kaq kohë sa shqiptarët luajnë në ekipin kombëtar të Maqedonisë, kanë pasur peshë, kanë qenë futbollistët më me kualitet dhe që e kanë kualifikuar në Europian. Ka futbollistë shumë të mirë Maqedonia e Veriut.

Marrëdhënia me presidencën e re të FFM? –  Njerëzit ndryshojnë, por federatat jo. Federatat gjithmonë duhet të kenë raporte korrekte dhe të mira dhe Federata Shqiptare e Futbollit me atë të Maqedonisë së Veriut të tilla i ka pasur gjatë gjithë kohës, aq më shumë se jemi komshi, aq më shumë që kemi, le të themi halle të njëjta. Kështu që pavarësisht që është ndërruar presidenti, por jo Federata. Marrëdhëniet, po e ripërsëris që kanë qenë stabile dhe shumë të mira, padyshim që duke e folur një gjuhë me Muamet Sejdinin, mund të ishin dhe kanë qenë pak më shumë,, por edhe me presidentin e ri, me z. Masar unë kam një njohje të vjetër personale, sepse ai ka qenë anëtar i komitetit ekzekutiv të federatës që në kohën kur ishte Hari president i Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Kishte ambicie madje edhe në atë kohë që të ishte president i federatës dhe erdhi një ditë dhe u bë president, dmth është pjesë e komunitetit të futbollit, për këtë thashë që e kanë njohje të vjetër, është një ish-futbollist dhe me dëshirë për ta zhvilluar futbollin në Maqedoninë e Veriut. Jam i sigurt që do të bëjë mirë, kemi raporte shumë të mira.

Futbollistët nga Maqedonia e Veriut që luajnë për Kombëtaren? – Ne kemi më kualitativët nga Maqedonia e Veriut. Nedim Bajrami na ka shënuar golin në Çeki në një moment të vështirë për ne, një gol që na mbajti në lojë dhe na çoi në vendin e parë në Europian. Jasir Asani ka shënuar tre gola fantastikë në kualifikuese kundër Çekisë, Moldavisë dhe Polonisë. Ata e kanë shkruar emrin me punën dhe kontributin e vet. Taulant Seferi po ashtu. Nga ana tjetër, nuk është se duhet ta thuash. Po janë çuna të shkëlqyer dhe kanë kontribute të jashtëzakonshme. Pastaj, njëherë luan apo s’luan, ky është futbolli dhe vlerësimi i trajnerit. Por në asnjë moment nuk kam lexuar te asnjëri nga ata që mos ta gëzojë fitoren njëlloj si ata që janë në fushë. Dhe kjo është e mira e ekipit tonë. Që ne jemi të gjithë bashkë pavarësisht nëse jemi në stol, tribunë apo fushë.

Rritja e numrit të tifozëve për të parë Kombëtaren në stadium? – Me ekipin Kombëtar ne nuk kemi probleme. Shqiptarët e ndjekin ekipin Kombëtar jo vetëm në shkallët e stadiumit, por edhe në TV. Interesi është i jashtëzakonshëm. Por për kampionatin pjesëmarrja e spektatorëve nuk është e kënaqshme. Ka një lloj rritjeje, dhe unë nuk besoj se rritja do të vijë rastësisht nëse ne nuk punojmë në këtë drejtim. Ne kemi filluar një projekt bashkë me klubet, sepse detyra kryesore është e klubeve që ta promovojnë më mirë, ta organizojnë më mirë dhe të kenë më shumë pjesëmarrje. Diskutohet shpesh nga opinionistë, studio televizive, që niveli nuk është aty ku duhet. Niveli, sido që të jetë, konkurrenca është. Futbolli është i bukur; në Gjermani ndiqet edhe në kategorinë e katërt dhe të pestë. Nuk është çështje niveli. Unë mendoj që është çështje promocioni, organizimi, marrëdhënies së klubit me tifozët. Kemi nisur një projekt dhe kam shumë besim që do të përparojmë për të rritur numrin e spektatorëve.

Në ndeshjet e Kombëtares, është problem për të gjetur biletë, si ju duken çmimet e biletave? – Unë do të dëshiroja që ta kishim dhe pa lekë stadiumin. Do të isha shumë i lumtur që njerëzit të vinin në stadium dhe të mos paguanin asgjë, por në ekonominë që ne kemi zgjedhur të jemi, ekonomi tregu, kjo që ne mendojmë që është më e mira, pa pasur të ardhura është e vështirë të ecësh përpara. Detyrimisht do të vendosim një çmim. Nëse do të flasim nga pozicioni i rregullave që ka ekonomia e tregut, përderisa ka kaq shumë kërkesë, çmimi mendoj që është i lirë.

Federata është dënuar nga UEFA dhe FIFA për shkak të sjelljes së tifozëve, a keni një zgjidhje se si ta përmirësoni bashkëpunimin me tifozët, për të shmangur dënimet? – Është e njëjta gjë që thashë për tifozët në kampionat. Duhet të ruash marrëdhëniet, të bashkëbisedosh me ta, t’i ndërgjegjësosh ata. Por ne asnjëherë nuk duhet të mendojmë që futbolli do të bëhet teatër, dhe nuk e duam këtë gjë. Duam që futbolli të mbetet futboll. Është një lojë me kaq shumë emocion, sa është e vështirë që të zbatohen të gjitha rregullat. Padyshim që kemi punuar, kemi bërë thirrje, kemi bërë gjithçka që të kemi më pak shkelje disiplinore në shkallët e stadiumit.

Bashkëorganizimi për Kampionatin Europian U-21 me Serbinë? – Kur kemi vendosur të aplikojmë që të jemi bashkëgarues me Federatën e Serbisë në Kampionatin Europian U-21, padyshim që i kemi menduar të gjitha. Kemi parë çfarë sjell pozitivisht ky organizim nga pikëpamja sportive, por jo vetëm. Nga pikëpamja sportive nuk mendoj që ka asnjë kundërshtim që organizimi i një Kampionati Europian për moshën U-21 është i rëndësishëm për çdo vend europian, aq më tepër për një vend si Shqipëria, Maqedonia e Veriut apo Serbia. Është aktiviteti i dytë më i rëndësishëm në Europë pas Kampionatit Europian për ekipet e para.

Benefiti sportiv është i madh, sepse promovon futbollistët tanë, marrim më shumë eksperiencë organizative, sepse spektatori shqiptar sheh më shumë ndeshje, sheh yjet e ardhshëm të futbollit europian në stadiumet e Shqipërisë. Këtu nuk kemi diskutim. Diskutimi është ai i historisë mes Shqipërisë dhe Serbisë, i ngjarjeve që kanë ndodhur, të cilat vërtet janë të rënda, dhe organizimi i një Kampionati Europian nuk e shuan historinë. Përkundrazi, tenton të ndërtojë një të ardhme sa më të mirë, dhe mendoj që futbolli është një lojë që bashkon njerëzit, krijon ura komunikimi dhe sjell zhvillime pozitive. Nuk është shumë e lehtë që ta pranosh, por ne, duke qenë të bindur që është një zhvillim pozitiv, jemi të bindur që i bën mirë të gjithëve. Unë nuk mendoj që popujt kanë faj edhe kur ndodhin gjëra negative. Fajet i kanë ata që drejtojnë popujt dhe i drejtojnë gabim.

Klubet shqiptare në garat europiane, çfarë mund të përmirësohet? – Nuk është thjesht çështje fati. Kampionate si i Shqipërisë, apo i Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, do ta kenë të vështirë sepse pasqyrojnë ekonominë e vendit. Vetëm vitin e kaluar, nga kampionati shqiptar janë shitur mbi 15 futbollistë. Çdo futbollist me kualitet kërkon padyshim të ardhura më shumë, të cilat ekonomia jonë nuk ia ofron. Për sa kohë do të jemi në këto kushte, futbollistët do të kërkojnë që të ikin dhe do të ikin. Duan të luajnë në klube më të mira dhe kërkojnë të ardhura më të mëdha.

Do të jetë e vështirë që klubet tona të jenë në grupet e Conference League, Europa League apo Champions League. Jam i gëzuar që Drita dhe Shkëndija janë në grupe. Nuk e konsideroj si një zhvillim normal, e konsideroj si një kualifikim sporadik. Conference League, në ato nivele jemi. Por për të shkuar më larg duhet më shumë forcë, duhet më shumë ekonomi, duhet më shumë të ardhura. Nuk e di nëse i ofrojnë këto lloj tregjesh. Padyshim duhet edhe një politikë ndryshe nga shtetet, qoftë nga Shqipëria, etj. Kosova është në rregull, ka një ligj sponsorizimesh që sjell më shumë financa për klubet dhe që mund të zhvillohet më shumë. Ne nuk e kemi, është e vështirë që të ringrihesh në një treg kaq të vogël, në një treg me një numër të limituar popullsie, për të shkuar në nivelet e grupeve të Europa League dhe Champions League.

Deri ku mund të shkojë teknologjia në futboll, si e sheh UEFA, si mundësi apo rrezik? – Si e sheh UEFA, FIFA dhe federatat e klubet janë faktet që e kanë vendosur dhe, në një lloj mënyre, është futur teknologjia. Sistemi VAR, goal-line technology, apo të tjera. Personalisht, nuk jam shumë në favor të teknologjisë në futboll. Me një argument të thjeshtë, kjo lojë është kaq e bukur, është luajtur në histori për mbi 100 vjet, ka kaq shumë interes rreth saj, me të njëjtat rregulla, me të njëjtat përmasa fushe, me të njëjtin numër futbollistësh, pa teknologji. Nëse do të vazhdojë të jetë kaq shumë e bukur dhe do t’i hapet kaq shumë rrugë teknologjisë, mbetet për t’u parë.

Gjithmonë i qetë në qëndrimet tuaja, edhe pse me plot angazhime si në Federatë dhe në UEFA. Si ia arrini të keni këtë ekuilibër mes jetës private? – Nuk e di. Nuk di ta them nëse vërtet jam i qetë apo jo. Nuk jam kaq shumë i qetë. Në punë jam energjik, jam ekspresiv. Dita e punës për mua është pothuajse 24 orë.

Ju keni nisur si biznesmen lokal në Durrës dhe Shijak, sot jeni në skenën më të lartë të futbollit. Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve shqiptarë që ëndërrojnë të ngjiten në nivele drejtuese në sport, apo edhe në jetë? – Për futbollin, do të këshilloja çdo prind që ta dërgojë fëmijën të luajë futboll, qoftë vajzë apo djalë, sepse do ta edukojë nëpërmjet futbollit. Jo të gjithë do të bëhen profesionistë, jo të gjithë do të fitojnë shumë lekë si Messi apo Ronaldo, por unë besoj që do t’u shërbejë për t’u edukuar më mirë, për t’u bërë familjarë dhe qytetarë më të mirë, pjesëtarë të një shoqërie më të mirë. Në përgjithësi, për një njeri, ajo që do t’i rekomandoja është përkushtimi, dëshira, korrektësia dhe dashuria për punën që bën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here