Viti 2022 padyshim se ka qenë vit i mirë i atletikës në përgjithësi, sidomos disa klube kanë arritur rezultate të lakmueshme në garat vendore por edhe në ato ndërkombëtare.
Klubi i atletikës Prizreni ka shënuar rezultate të mira në edicionin e sivjetshëm.
Këtë e thotë edhe kryetrajneri Bajram Duja.
Sipas tij, i kanë pritur rezultatet e mira.
Duja ka përmendur dy atlete dhe një atlet që u veçuan gjatë këtij edicioni.
“Rezultatet kanë qenë të kënaqshme, falë punës sistematike i kemi pritur rezultatet e mira.
Kemi arritur të thyejmë rekorde kombëtare, i kemi fituar dy kupa duke u plasuar në vendin e dytë.
Në kampionate në të gjitha grupmoshat kemi fituar shumë medalje.
Tre atlet të klubit, Sara Susuri, Armel Qovanaj dhe Emine Jenuzi e kanë përfaqësuar Kosovën në gara ndërkombëtare.
Sara Susuri e ka përmirësuar rekordin e Kosovës në 100 metra.
Atletët e rinj e kanë përfaqësuar klubin denjësisht, duke fituar medalje të shumta, duke u shpallur kampion të Kosovës.
Shumica e atletëve i kanë përmirësuar rezultatet në krahasim me vitin e kaluar, duke i thyer rekordet e veta personale”, thotë Duja për gazetën kombëtare “Bota sot”.
A ka pas ndonjë befasi?
“Befasi nuk ka pasur, sepse me punën që e kemi bërë i kemi pritur rezultatet e arritura këtë vit”, përfundon Duja.