Drita do të zbresë sonte në fushën e blertë për ta zhvilluar ndeshjen e parë të fazës së “play-off”-it të Ligës së Konferencës.
Gjilanasit do ta presin ekipin Differdange në duelin e parë të kësaj faze, shkruan “Gazeta Express”.
Kampionia e Kosovës llogarit në mbështetjen e madhe të tifozëve sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, për ta krijuar një avantazh solid para ndeshjes së kthimit, e cila do të luhet pas një jave në Luksemburg.
Kjo nuk është hera e parë që ekipi i Zekirija Ramadanit do të përballet me Differdangen, të cilën e kishte mposhtur dy herë në Ligën e Kampionëve në muajin e kaluar, 1:0 në Kosovë dhe 3:2 në Luksemburg.
Prandaj, gjilanasit synojnë t’i përsërisin këto dy rezultate për ta shkruar historinë e tyre, duke u kualifikuar për herë të parë ndonjëherë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, gjë të cilën në vitet paraprake e kishte arritur dy herë Ballkani me trajnerin Ilir Daja.
Drita ishte eliminuar nga Liga e Kampionëve prej Copenhagen, ndërsa nga Liga e Evropës prej FCSB.
Sidoqoftë, atë që nuk e bëri në këto gara, ekipi Bardhekaltër po mundohet ta bëjë në garën e tretë për nga rëndësia në futbollin evropian.
Ndeshja mes Dritës dhe Differdanges do të luhet sonte në Prishtinë duke filluar nga ora 20:00.