Dremitjet gjatë ditës nuk janë ‘shaka’

0
30

Një studim i ri zbulon se mënyra dhe koha kur bëjmë një sy gjumë gjatë ditës mund të ndikojnë ndjeshëm në rrezikun për vdekje të parakohshme.

Studimi, i prezantuar në konferencën SLEEP 2025, analizon të dhëna nga 86,565 të rritur të moshës 43 deri në 79 vjeç, duke shqyrtuar lidhjen mes zakoneve të dremitjes dhe vdekshmërisë.

Pjesëmarrësit mbanin pajisje që regjistronin modelet e tyre të gjumit për shtatë ditë, duke përfshirë edhe dremitjet gjatë ditës, të cilat përkufizoheshin si gjumë mes orës 09:00 të mëngjesit dhe 19:00 të mbrëmjes. Gjatë një periudhe ndjekjeje prej 11 vitesh, 5,819 persona ndërruan jetë.

Sipas rezultateve të publikuara nga Health.com, faktorët që lidhen me një rrezik të shtuar të vdekjes përfshijnë: dremitje më të gjata se zakonisht, orare të parregullta dhe frekuencë të lartë të sy gjumit gjatë ditës. Në veçanti, dremitjet e zgjatura rrisnin rrezikun e vdekjes me deri në 20%, ndërsa ato të bëra në mënyrë të çrregullt, kryesisht midis orës 11:00 dhe 15:00, shoqëroheshin me një rritje rreth 14%.

Këto lidhje mbetën të vlefshme edhe pasi u morën parasysh faktorë të tjerë si indeksi i masës trupore, përdorimi i duhanit dhe cilësia e gjumit gjatë natës.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se nuk ka prova të drejtpërdrejta që dremitjet shkaktojnë vdekje. Përkundrazi, modelet e parregullta të dremitjes mund të jenë pasojë e çrregullimeve të fshehura të shëndetit, si apnea e gjumit ose sëmundje kronike, të cilat shkaktojnë lodhje të vazhdueshme.

Ekspertët rekomandojnë që dremitjet të jenë të shkurtra, jo më shumë se 30 minuta, dhe të bëhen para orës 15:00, për të shmangur ndikimin në cilësinë e gjumit të natës. Ata që kanë nevojë të flenë shpesh ose për periudha të gjata gjatë ditës, këshillohen të konsultohen me një mjek për të identifikuar problemet e mundshme themelore.

Gjithashtu, për përmirësimin e gjumit gjatë natës, rekomandohen praktika si: mbajtja e një orari të qëndrueshëm të gjumit, ekspozimi ndaj dritës natyrale gjatë ditës, aktiviteti fizik i rregullt, kufizimi i konsumit të kafeinës dhe alkoolit, si dhe përdorimi i teknikave të relaksimit.

Ky studim sjell prova të rëndësishme për ndikimin që mund të kenë dremitjet në jetëgjatësinë e individit, duke hapur rrugën për kërkime të mëtejshme mbi marrëdhënien mes gjumit ditor dhe shëndetit afatgjatë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here