Dragash: Humb jetën vajza 13-vjeçare pas shpërthimit të bombolës së gazit në shtëpi

0
158

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Shajne të Dragashit, ku një vajzë 13-vjeçare ka humbur jetën tragjikisht si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi brenda shtëpisë së saj.

Sipas informacioneve të para zyrtare, rreth orës 18:30 Qendra Emergjente në Prizren ka pranuar njoftim për një lëndim aksidental të një të miture. Njësitë policore dhe ekipi mjekësor janë nisur menjëherë në vendngjarje, ku është konstatuar se bëhej fjalë për E.F.I. rreth 13-vjeçare, e cila kishte pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e eksplodimit të një bombole të vogël gazi në dhomën e ndejës së shtëpisë.

Pavarësisht përpjekjeve të ekipit të urgjencës, në orën 19:05 është konstatuar se vajza nuk kishte shenja jete.

Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante të Stacionit Policor Dragash, Sektorit të Hetimeve Rajonale në Prizren, si dhe ekspertët e zjarrit pranë Njësisë së Emergjencave, të cilët po punojnë për të zbardhur rrethanat e shpërthimit.

Sipas vlerësimeve fillestare, dyshohet se shpërthimi ka ndodhur në pjesën e kuzhinës, si pasojë e rrjedhjes së gazit nga bombola.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Hetimet për rastin e kualifikuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” janë në vazhdim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here