Drafti i statutit të Asociacionit që e hartoi Edi Rama mbërrin në Berlin

0
185
epa09884913 German Chancellor Olaf Scholz (R) and Edi Rama (L), Prime Minister of Albania, hold a joint press conference after their meeting in the Federal Chancellery in Berlin, Germany, 11 April 2022. EPA-EFE/SOEREN STACHE / POOL

Gjermania tashmë ka konfirmuar se ka pranuar propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama, por që nuk ka komentuar përmbajtjen e tij.

“Ne mund të konfirmojmë marrjen e një dokumenti të tillë. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj se nuk duam të komentojmë përmbajtjen konfidenciale”, tha për Kosova Online zëdhënësi i Qeverisë gjermane.

Rama njoftoi dje se i ka dërguar presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz një propozim për draftstatutin e Bashkësisë së Komunave Serbe, duke shtuar se nuk e kupton ngurrimin e autoriteteve të Kosovës për të depërshkallëzuar situatën në veri, e cila “po merr përmasat e një tragjedie politike për Kosovën”.

Rama tha se për këtë dokument e ka vënë “në dijeni edhe palën amerikane”.

Kryeministri i Shqipërisë tha se dokumenti është konfidencial.

Megjithatë, ai tha se është i bindur se ky draft-statut është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Ky draft-statut, sipas Ramës, është hartuar nga ekspertë të pavarur dhe se ai vetë ka dhënë kontribut në të. Megjithatë, kryeministri shqiptar e pranoi se për këtë dokument nuk është konsultuar me homologun e tij kosovar.

Rama, po ashtu, tha se është i shqetësuar për situatën, në të cilën ndodhet Kosova dhe ai nuk dëshiron që situata të përkeqësohet edhe më tej apo të vendosen sanksione ndaj Prishtinës.

“Për mua është i pakuptimtë pozicioni i Kosovës, se Serbia bën atë që ka bërë herë tjera. Palët nuk po merren vesh kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më se si duhet hartuar”, shtoi Rama.

Kujtojmë se Ekipi Menaxhues për themelimin e Asociacionit, i cili është i autorizuar me Marrëveshjen e Brukselit për hartimin e Statutit, ka paraqitur propozimin e tij gjatë raundit të fundit të dialogut në nivelin më të lartë në Bruksel.

Ai propozim, megjithatë, nuk u miratua nga Qeveria e Kosovës, që vetëm një ditë më vonë shkarkoi Ekipin Menaxhues.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here