Drafti i ligjit për zgjedhje: S’ka heshtje zgjedhore, misionet diplomatike kthehen në qendra votimi

0
166

Komisioni shumëpartiak i Kuvendit ka finalizuar një draft të ligjit për zgjedhje, ku mes tjerash, është propozuar që të hiqet dita e heshtjes zgjedhore, të votohen deri në 10 kandidatë për deputetë ose asamble, si dhe të krijohen Qendra Komunale për Numërimin e Votave. Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se subjektet politike janë orientuar kryesisht vetëm drejt ndryshimeve që janë më shumë në interesat e tyre partiake, pa i trajtuar aspektet përmbajtjesore të sistemit zgjedhor

Nga 5 kandidatë për deputetë sa mund të votohen aktualisht, do të mund të votohen deri në 10 sosh – nëse miratohen propozim-ndryshimet e ligjit për zgjedhje. Ky është njëri prej aspekteve të propozuara në draftin e hartuar nga një komision shumëpartiak i Kuvendit të Kosovës.

Pavarësisht rritjes së numrit të kandidatëve që mund të rrumbullakohen, Kosova mbetet një zonë e vetme zgjedhore e me lista të hapura.

Dispozitat e përgjithshme

1. Kosova është një zonë e vetme zgjedhore.

2. Subjekti politik që nuk është kandidat i pavarur e paraqet listën e kandidatëve në përputhje me nenet 28 dhe 30 të këtij ligji dhe rregullat e KQZ-së.

3. Secili subjekt politik i certifikuar paraqitet në votim me “listë të hapur”.

4. Votuesi pajiset më një fletëvotim të vetëm për zgjedhje dhe në të shënjon:

4.1. votën për një (1) subjekt politik;

4.2. votën për një (1) deri në dhjetë (10) kandidatë nga lista e subjektit politik për të cilin ka votuar votuesi;

5. Nëse një fletëvotim shenjohet për më shumë se dhjetë (10) kandidatë, atëherë numërohet vetëm vota për subjektin politik.

Ndryshime janë propozuar edhe sa i përket numërimit të votave. Kësisoj, me draft ligj përcaktohet krijimi i Qendrave Komunale e Numërimit. Fletëvotimet e rregullta nga vendvotimet brenda Kosovës, numërohen në po ato vendvotime, menjëherë pas mbylljes së procesit votues.

“4. Çdo komunë do të ketë një qendër komunale të numërimit të votave, në të cilën do të bëhet pranimi i kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore, do të numërohen dhe do të bëhet vlerësimi i votave për kandidatët dhe do të plotësohen formularët e rezultateve të kandidatëve për secilin vendvotim. Qendrat komunale të numërimit caktohen në salla me përmasa të mëdha ose palestra sportive. Vendet e numërimit të votave për kandidatë vihen në dispozicion të KKZ-ve, jo më vonë se 10 ditë para datës së zgjedhjeve. KKZ-ja, jo më vonë se 5 ditë para datës së zgjedhjeve, fton për vizitë dhe njohje të vendit të numërimit të votave të kandidatëve, subjektet politike, vëzhguesit dhe anëtarët e KKZ-së. Numërimi bëhet duke ofruar transparencë të plotë. Në përzgjedhjen e vendit, KQZ-ja merr parasysh edhe mundësinë për aplikimin e teknologjisë mbështetëse për numërimin e votave”.

Me ndryshimet e propozuara nuk do të ketë as heshtje zgjedhore. Periudha e fushatës do të jetë 30 ditë, e cila përfundon me hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve.

“1.29. “Periudha e fushatës” do të thotë periudha prej tridhjetë (30) ditëve për fushatën zgjedhore të subjekteve politike, e cila përfundon me hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve. KQZ-ja po ashtu do të miratojë një udhëzues për subjektet politike, kandidatët dhe qytetarët që të parashtrojnë ankesat e tyre në organet kompetente kundër kërcënimeve, pengimit dhe/apo cenimit të ushtrimit të ligjshëm të të drejtave zgjedhore, “duke përfshirë edhe rregullat për kufizimin e lirisë së shprehjes me qëllim të parandalimit të gjuhës së urrejtjes, parandalimit të trazirave apo veprimeve të tjera të paligjshme”.

Sa i përket votimit jashtë vendit, çështje kjo që pati nxitur polemika në të kaluarën, tani përcaktohet edhe mundësia e votimit në misionet diplomatike, krahas votimit me postë.

“1. Votimi në përfaqësi diplomatike, organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Fletëvotimet nga votimi në përfaqësi diplomatike dhe pakot me fletëvotime të pranuara nga përfaqësitë diplomatike nuk hapen, nuk numërohen, apo vlerësohen, por vetëm regjistrohen dhe dërgohen bashkë me materialin tjetër zgjedhor në KQZ si dërgesa diplomatike. Këto materiale grumbullohen me komision, në prani të vëzhguesve të pranishëm, mbyllen në kuti të sigurta, blombohen në mënyrën e caktuar nga KQZ dhe dërgohen si postë diplomatike në KQZ në Kosovë. Procedura e njëjtë përdoret edhe për marrjen e dërgesave postare nga kutia postare jashtë Kosovës. KQZ-ja nxjerr procedura të veçanta për mënyrën e numrimit të zarfeve, paketimit dhe dërgimit”.

Garës për t’u zgjedhur nuk do të mund t’ia mësyjnë kandidatët që janë dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv.

Përfaqësues të shoqërisë civile të cilët kanë qenë të angazhuar rreth ligjit për zgjedhje thonë se ndryshimet janë të kufizuara.

“Pavarësisht angazhimit konstruktiv të komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore, si dhe grupeve punuese të ekspertëve, propozim-ndryshimet mbi legjislacionin zgjedhor janë përgjithësisht të limituara në aspekte teknike të administrimit të zgjedhjeve. Përjashtim përbëjnë vetëm çështja e votimit jashtë vendit, e cila është ndryshuar esencialisht, vota preferenciale dhe numërimi i votave të kandidatëve. Përgjithësisht, duke u thirrur në një konsensus politik, subjektet politike janë orientuar kryesisht vetëm drejt ndryshimeve që janë më shumë në interesat e tyre partiake”, tha Eugen Cakolli i KDI-së.

Sipas Cakollit, pa u trajtuar kanë mbetur çështje dhe aspekte mjaft përmbajtësore të sistemit zgjedhor, duke përfshirë përfaqësimin e barabartë gjinor (50-50%) në lista, zonat zgjedhore, pragun zgjedhor, mënyrën e zgjedhjes së presidentit, si dhe funksionin e mandatin e KQZ-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here