Dorëzimi i Vuçiqit pas presionit të madh: Si u vendos dhe u tërhoq ushtria serbe nga kufiri me Kosovën

0
218

Kosova i kërkoi të shtunën Serbisë të largojë trupat nga kufiri i saj, pasi Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin për “mobilizimin ushtarak serb pranë kufirit me Kosovën”. Qeveria njoftoi se ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian “në lidhje me këtë kërcënim serioz nga Serbia dhe reagimi i Shteteve të Bashkuara ndaj kësaj qasje agresive të Serbisë ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë”.

Zhvendosja trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën erdhi rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Ushtria serbe vendosi të premten, sipas Qeverisë së Kosovës, “kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë.”

Në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë.

Të premten, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.

Bashkimi Evropian i bëri thirrje të njëjtë Serbisë një ditë më vonë, të shtunën, përmes shefit të vet të diplomacisë, Josep Borrell.

“I bëjmë thirrje Presidentit Vuçiq dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm”, thuhet në njoftim.

Qeveria Kurti e quajti këtë lëvizje të Serbisë si një hap të radhës nga ajo “për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës.”

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të shtunën se “nuk e ka ndër mend ta urdhërojë ushtrinë” të kalojë kufirin me Kosovën dhe se do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë, duke pretenduar se nuk është e vërtetë se Serbia po e dërgon ushtrinë në kufi.

Ai nënvizoi se përshkallëzimi i konfliktit do të ishte “kundërproduktiv kur bëhet fjalë për dëshirën e Serbisë” për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

Vuçiqi i quajti joproporcionale paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara, duke thënë se se numri i forcave serbe në terren “është duke u zvogëluar.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here