Dorëhiqet Ahmetxhekaj, Zana Spahiu u.d. Drejtoreshë e Përgjithshme e RTK-së

0
148

Bordi i RTK-së përmes një komunikate për media ka njoftuar se pas dorëheqjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, e ka emëruar znj. Zana Spahiu në pozitën e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të RTK-së.

“Znj. Spahiu është e diplomuar në Universitetin e Prishtinës – Fakulteti Juridik. Nga viti 2010 ajo filloi punën në RTK si juriste, derisa në vitin 2022 u zgjodh udhëheqëse e zyrës Ligjore në RTK. Ajo ka mbi 14 vjet përvoje pune në fushën ligjore. Ky vendim i bordit ka ardhur pasi që me datën 23.05.2024, z. Shkumbin Ahmexhekaj ka paraqitur dorëheqjen e tij nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Sipas kërkesës dhe përcaktimit nga ana e tij, dorëheqja do të jetë efektive nga data 08.07.2024, gjë për të cilën ka marrë edhe dakordimin e Bordit të RTK-së në mënyrë që të kryhen punët që kanë qenë në proces, përfshirë edhe pjesëmarrjen në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së”, thuhet në komunikatën e bordit.

Bordi i RTK-së fillimisht e kishte emëruar Ahmetxhekajn ushtrues të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm më 19 janar 2022, pas shkarkimit të ish-drejtorit Kastrati, ndërkaq pas një procesi transparent dhe meritokratik, ai është zgjedhur dhe emëruar më 20.06.2022, Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së.

“Bordi i RTK-së e falënderon Ahmetxhekaj për bashkëpunimin e deritanishëm. Me z. Ahmetxhekaj Bordi ka pasur një bashkëpunim korrekt, ndërkaq javë më parë ka pasur mospajtime dhe qasje të ndryshme lidhur me rastin e dhunës psikike që ka ushtruar drejtori i radios z. Arsim Halili ndaj disa grave në RTK, veçanërisht ndaj udhëheqëses së zyrës ligjore. Bordi ka pritur që drejtori i përgjithshëm ta trajtojë këtë rast konform përgjegjësive të tij. Bordi rithekson që dhuna psikike dhe çfarëdo lloj presioni i ngjashëm nga kushdo ndaj kujtdo, janë të papranueshme dhe nuk do të lejohen në RTK. Bordi i RTK-së do të vazhdojë të punojë në vazhdimësi për ruajtjen e pavarësisë dhe profesionalizimit të RTK-së”, thuhet tutje në komunikatë.

Në fund theksohet se Bordi i RTK-së do të vazhdojë përkushtimin për progresin në RTK dhe do të angazhohet në kryerjen e reformës në RTK. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here